Sport
Amaneti i fundit i Xhevat Prekazit: Pse ish-futbollisti u përcoll për në banesën e fundit në kryeqytetin serb, ndërsa mortja hapet në Mitrovicë
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-futbollisti i njohur, Xhevat Prekazi, është përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit, duke u varrosur në varrezat e Leshçes në Beograd.
Ky ishte vullneti i tij i fundit para se të ndërronte jetë: të prehej në kryeqytetin serb i veshur me fanellat e dy klubeve të zemrës, Partizanit të Beogradit dhe Galatasarayt, i shoqëruar nga lutjet e hoxhallarëve dhe i mbuluar me flamurin bardhezi. Gjatë ceremonisë funebre nuk janë vënë re flamuri kombëtar shqiptar dhe ai i Republikës së Kosovës.
Megjithëse varrimi u krye në territorin serb, familjarët e tij kanë njoftuar se pritja për ngushëllime do të organizohet në Kosovë. Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale, e pamja për të ndjerin do të mbahet në qytetin e Mitrovicës, konkretisht në lagjen Teferiq, në datat 14 dhe 15 nëntor.
Në kujtesën e opinionit publik mbeten ende deklaratat e bujshme të Prekazit ndër vite, veçanërisht kur ishte pyetur lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit si FIFA dhe UEFA. “Kosova e pranuar në FIFA dhe UEFA? E për çfarë të gëzohem unë? Nëse e ka pranuar, atëherë mirë është për futbollistët nga Kosova që mund të luajnë edhe në reprezentacion të Kosovës, edhe për kampionatin evropian dhe atë botëror. Pse të gëzohem unë? Gjë normale ka qenë për mua”, kishte shprehur ai hapur opinionin e tij.
Në një tjetër rrëfim, legjenda e fushave të blerta pati folur për lidhjen e pashkëputur emocionale që kishte me Beogradin dhe ekipin e Partizanit, duke e konsideruar këtë të fundit si strehën e tij të dytë. “Beogradi është qyteti dhe shteti jem. Krejt çka e kam bërë jetën teme, Beograd e kam bërë. Partizani është shtëpia ime e dytë. Edhe atë kohë edhe tash kurrë për mua nuk janë interesuar nga Kosova, thuajse unë kurrë s'kam lindur në Mitrovicë”, pati deklaruar ndër të tjera Prekazi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: