Politikë
Mungesa e barnave onkologjike, Arben Vitia tregon arsyet: Kërkesa u dyfishua dhe tenderi dështoi
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka sqaruar se mungesa e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026 erdhi si pasojë e dyfishimit të kërkesave nga ana e pacientëve, si dhe e dështimit të tenderit të parë për shkak të mungesës së kompanive ofertuese.
Këto deklarata ministri i bëri gjatë interpelancës në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari. Diskutimi u përqendrua te rasti i vdekjes së një pacienteje me kancer gjiri, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe te sfidat e furnizimit me barna onkologjike. Vitia kujtoi se medikamenti palbociclib u përfshi për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale gjatë vitit 2025.
Sipas shefit të shëndetësisë, kontrata e parë për këtë produkt u nënshkrua më 17 korrik, kurse dërgesa e parë arriti në barnatoren qendrore në QKUK në mes të muajit gusht 2025. Megjithatë, ai theksoi se situata e re tejkaloi parashikimet e hershme, pasi numri i personave që kërkonin terapinë u rrit dysh.
“Në pyetjen e parë, medikamenti palbociclib është futur për herë të parë në Kosovë në listën e barnave esenciale në vitin për vitin 2025. Menjëherë kanë filluar përgatitjet për sigurimin e tij dhe, duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në klinikën e onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë. Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar buxhetin shtesë në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar nga Ministria e Financave. Pas procedurave të nevojshme, kontrata është lidhur me datën 17 korrik dhe, në mes të muajit gusht, ka ardhur për herë të parë ky medikament në barnatoren qendrore në Çekukë. Gjatë kësaj kohe është parë se ka kërkesa më të larta për këtë medikament, pasi që një pjesë e pacientëve të cilët e kanë siguruar më herët privatisht, duke mos qenë në listën e barnave esenciale, kur është futur ky bar në listën e barnave esenciale, kanë filluar normalisht ta kërkojnë këtë medikament në klinikën e onkologjisë”, ka thënë ai.
“Po ashtu, gjatë vitit 2025, për shkak të mungesës së institucioneve dhe Kuvendit, nuk ka pasur as ndëgjime buxhetore dhe as nuk është miratuar buxheti. Kjo situatë ka vazhduar deri në muajin mars, ku, përkundër kërkesës për rritje të buxhetit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, është kaluar buxheti me synim që në muajin maj-qershor të bëhet rishikimi. Por deputet i nderuar, ky rishikim nuk ndodhi, pasi në muajin prill u shpërnda Kuvendi dhe u futëm në proces zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit. Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit dhe transferit të mjeteve, menjëherë kanë filluar procedurat e reja tenderike, marrë parasysh shpenzimin e shpejtë të këtij medikamenti. Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues. Menjëherë pas dështimit të ofertës së parë, është hapur tenderi përsëri me procedura tash të përshpejtuara dhe, me datën 30 korrik 2026, është lidhur kontrata dhe, me datën 18 gusht të këtij viti, ka filluar liferimi në barnatoren qendrore”, ka shtuar Vitia.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri Vitia pranoi se përgjatë vitit 2026, sigurimi i barnave për nevojat e pacientëve në Klinikën e Onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: