Ekonomi
Kontrata mbi 1.8 milionë euro në KESH: Kompania e Avni Ponarit fiton tenderin mes dyshimeve për skualifikimin e rivalit
Reklamë e Sponsorizuar
Kompania e sigurimeve “Sigal”, në pronësi të biznesmenit Avni Ponari, është shpallur fituese e një kontrate publike me vlerë mbi 1.8 milionë euro, e cila parashikon sigurimin e pasurive të Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare. Procedura konkurruese është përmbyllur në fillim të kësaj jave, duke ngritur pikëpyetje për shkak të mungesës së një gare reale.
Sipas dokumentacionit përkatës, edhe pse ka paraqitur ofertën më të lartë mes dy konkurrentëve në garë, “Sigal” ka arritur të sigurojë kontratën. Kjo ka ndodhur pasi menaxhmenti i Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH), nën drejtimin e Administratores Viola Haxhiademi, ka vendosur të skualifikojë subjektin tjetër që kishte paraqitur shifrën më të favorshme ekonomike.
Në fillim të muajit gusht 2026, KESH ka shpallur procedurën e prokurimit me objekt “Sigurimi i Aseteve të KESH sh.a”, me një fond limit prej 170.756.219 lekësh të reja, ose afërsisht 1.8 milionë euro. Marrëveshja synon mbrojtjen për një periudhë 12-mujore të objekteve, pajisjeve kompjuterike dhe makinerive të shoqërisë publike nga rreziqe natyrore si zjarret, tërmetet apo përmbytjet.
Në këtë garë morën pjesë dy kompani. “Intersig Viena Insurance Group” paraqiti një ofertë prej 163.218.408 lekësh të reja, ndërsa “Sigal” e Avni Ponarit konkurroi me një vlerë rreth 50 mijë euro më të lartë, respektivisht 168.160.993 lekë të reja.
Pas shqyrtimit të ofertave, grupi i punës i KESH-it, i udhëhequr nga zonja Haxhiademi, vendosi të skualifikojë “Intersig Viena Insurance”, me pretendimin se nuk kishte plotësuar disa nga kushtet e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Syri i dyshimit bie mbi faktin se e njëjta kompani e skualifikuar kishte fituar rregullisht të njëjtat procedura në vitet e mëparshme, duke përmbushur çdo kriter, ndërsa ndryshimi i drejtimit të institucionit duket se ka sjellë edhe ndryshim të standardeve në përzgjedhjen e fituesve.
Viola Haxhiademi mori drejtimin e Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare (KESH) në dhjetor të vitit 2025, duke pasuar në këtë post Erald Elezin, i cili u vu nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve që përfshijnë ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Zonja Haxhiademi njihet si një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ballukut, duke shërbyer si Sekrete e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës përgjatë pjesës më të madhe të mandatit të ish-numrit dy të qeverisë. Dokumentet e zbardhura nga dosja hetimore e lidhin emrin e saj me disa veprime të dyshimta në krah të Ballukut.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk ka njoftuar ende ndonjë masë apo procedim penal ndaj zonjës Haxhiademi, e cila u emërua në krye të KESH-it pas largimit nga kabineti qeveritar të ish-epistores së saj, Belinda Balluku, në kuadër të hetimeve të nisura nga organet e drejtësisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: