Botë
Partia Popullore Evropiane ndërmerr hapat zyrtarë për përjashtimin e partisë së Vuçiqit
Reklamë e Sponsorizuar
Asambleja e Përgjithshme e Partisë Popullore Evropiane (EPP) ka nisur procedurat zyrtare për largimin e partisë serbe SNS, e cila udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq.
Kjo nismë ka marrë jetë pas veprimeve të Beogradit për lavdërimin dhe glorifikimin publik të kriminelit të luftës të dënuar, Ratko Mlladiq. Në njoftimin zyrtar të EPP-së, skenat e shfaqura në kryeqytetin serb janë cilësuar si tejet shqetësuese.
“Në vend që të përballemi me këtë trashëgimi të errët, dëshmuam nderime publike dhe shtetërore në funeralin e tij, pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë dhe një shprehje të hapur mbështetjeje në hapësirat publike. Veprime të tilla janë thellësisht shqetësuese dhe qëndrojnë në kundërshtim të thellë me vlerat e pajtimit, respektit për viktimat dhe llogaridhënies, të cilat qëndrojnë në themel të projektit evropian. Asambleja Politike shprehu të njëjtin mosbesim dhe dënim të shprehur nga udhëheqja e EPP-së dhe komuniteti ndërkombëtar. Në kuadër të procesit të vazhdueshëm të shqyrtimit të SNS-së, këto ngjarje të fundit nuk mund të injorohen”, bëhet e ditur përmes një postimi në platformën X nga EPP.
Vala e kritikave ndaj autoriteteve serbe për lartësimin e figurës së Mlladiqit është shtrirë edhe në nivelet më të larta të Bashkimit Evropian.
Si pasojë e kësaj situate, Komisarja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e saj të planifikuar në Serbi, duke e lidhur drejtpërdrejt vendimin me glorifikimin e bërë ndaj kriminelit të luftës Ratko Mlladiq pas vdekjes së tij.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe agjenda e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila gjatë kësaj jave do të vizitojë Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, por nuk ka paraparë ndalesë apo vizitë zyrtare në Serbi.
Ratko Mlladiq më parë ishte shpallur fajtor dhe dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid të kryer në Srebrenicë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: