Kronikë
Familja e shqiptarit të vrarë pranë Parlamentit Evropian: Mësuam nga gazetat se vrasësit janë ata të policit belg
Reklamë e Sponsorizuar
Familja e shtetasit shqiptar që u ekzekutua më 12 tetor në lagjen evropiane të Brukselit, pranë Parlamentit Evropian, ka mësuar nga gazetat, e jo nga autoritetet, se vrasësit e tij dyshohen të jenë të njëjtët persona që po atë natë vranë një polic belg.
Viktima, e identifikuar nga media belge siRedjan Z., u qëllua me shtatë deri në tetë plumba pistolete në hollin e një pallati në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles, rreth orës 17:50 të së hënës. Dëshmitarët panë tre ose katër burra duke ikur nga vendi i ngjarjes. Shqiptari nuk i mbijetoi plagëve.
Rreth gjashtë orë më vonë, afër mesnatës, në lagjen Jette u vra me një plumb në kokë inspektori 41-vjeçar Nordine El Talbi, anëtar i Brigadës kundër agresionit të policisë së Brukselit. Ai po i afrohej një veture që ishte vjedhur më herët atë mbrëmje në Tubize. Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në veturë ndodheshin pesë persona. Ata ikën në këmbë dhe lanë pas tri pistoleta.
"Familja e mësoi nga shtypi"
E përditshmja belge De Standaard zbuloi të enjten se hetuesit, falë pamjeve të kamerave të sigurisë, tani janë të bindur se të dyja vrasjet janë kryer nga i njëjti grup. Në ditët e para pas ngjarjes, prokuroria kishte deklaruar se nuk kishte asnjë tregues për lidhje mes dy rasteve. Tani prokuroria e Brukselit nuk pranon as ta konfirmojë, as ta mohojë publikisht këtë zhvillim. Ajo thotë se kjo bëhet në interes të të dy hetimeve.
Pikërisht kjo heshtje ka zemëruar familjen e shqiptarit. Avokatja e saj, Ofelia Avagian, i tha gazetës belge L'Avenir se të afërmit e Redjanit e morën vesh lajmin nga mediat dhe jo përmes kanaleve zyrtare. Sipas saj, kjo ka qenë tejet e dhunshme për ta. Ajo u ankua se ndaj viktimave në këtë dosje tregohet shumë pak kujdes. Sipas saj, mungesa e konfirmimit nga prokuroria i ka lënë klientët e saj në pasiguri të plotë, aq më tepër që në fillim ishte thënë se rastet nuk kishin lidhje. Megjithatë, sipas avokates, familja është e kënaqur që hetimi po ecën dhe që janë kapur të dyshuar.
Avokatja thekson se Redjan Z. nuk ishte i njohur për policinë dhe kishte dosje penale të pastër. Megjithatë, sipas mediave belge, hipoteza kryesore e hetuesve mbetet një larje hesapesh në botën e drogës. L'Avenir shkruan, duke cituar burimet e veta, se para 12 tetorit ai kishte udhëtuar shpesh mes Belgjikës dhe Shqipërisë, vendlindjes së tij.
Sipas transmetuesit publik flamand VRT, të gjithë të dyshuarit janë banorë të Brukselit me lidhje në ambientin e drogës. Katër prej tyre u arrestuan jashtë vendit: tre në Almeria të Spanjës dhe një i mitur në Paris. Të katër janë dorëzuar në Belgjikë. Dy persona të tjerë, të arrestuar në Belgjikë, janë liruar në kuadër të këtij hetimi për mungesë provash. Njëri prej tyre mbetet në burg për vepra të tjera.
Vrasja e shqiptarit kishte ngjallur shqetësim që në ditën e parë. Prokurori Moinil kishte nënvizuar atëherë se të shtënat ndodhën në fund të pasdites, në një lagje banimi shumë të gjallë, në orën kur shumë familje gjendeshin jashtë. Megjithatë, vrasja e policit u bë çështje kombëtare në Belgjikë, me rreth një mijë policë në ceremoninë e lamtumirës. Rasti i shqiptarit, ndërkohë, mbeti për një muaj në hije.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: