Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Prishtina 2030 në rrezik? Ministri Gashani konfirmon ngecjet dhe sfidat e mëdha në organizim

Redaksia Lajmetereja • 12-11-2026 13:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Prishtina 2030 në rrezik? Ministri Gashani konfirmon ngecjet dhe sfidat e mëdha në organizim
Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po përballen me sfida dhe vonesa të dukshme, një situatë kjo që është konfirmuar zyrtarisht nga Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani. Gjatë raportimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ai ka bërë të diture se kriza institucionale dhe mangësitë në koordinimin ndërinstitucional kanë lënë pasoja negative në mbarëvajtjen e këtij projekti madhor sportiv. Duke analizuar sfidat me të cilat është ballafaquar dikasteri që ai drejton, ministri theksoi se mungesa e stabilitetit gjatë dy viteve të fundit ka ngadalësuar ndjeshëm proceset përgatitore. Sipas tij, vetëm miratimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare u zvarrit për plot 15 muaj, ndonëse me marrjen e mandatit u ndërmorën hapa të shpejtë për procedimin e tij dhe për themelimin e Komitetit Organizativ. “Po iu tregoj qe po, kemi shqetësime, kemi vështirësi sepse ka pasur jo-stabilitet dhe ai dy vjeçar ka shkaktuar edhe vonesa dhe vështirësi edhe në Lojërat Mesdhetare. Që t’i përmendim vetëm disa nga ato, 15 muaj Ligji për Lojërat Mesdhetare nuk është aprovuar dhe sapo kemi marrë mandatin, me dinamikë shumë të shpejtë kemi proceduar e pastaj ka derivuar edhe formimi i Komitetit Organizativ dhe po vazhdojmë me intensitet të plotë”, u deklarua Gashani para deputetëve. Pos sfidave të brendshme, kreu i sportit ka pranuar se ekzistojnë edhe probleme në komunikim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Ai vuri në dukje se në këtë raport ka fërkime dhe mospajtime, të cilat për arsye strategjike nuk është e udhës të diskutohen në sy të publikut, ndërsa shtoi se mungesa e një qeverie me mandat të plotë ka rënduar edhe më shumë situatën. Gjatë fjalës së tij, Gashani ngriti një shqetësim tjetër madhor, duke bërë me dije se gjatë vitit 2025 është marrë vendim për të shkelur një nga parimet fundamentale të këtij organizimi – ai i përfshirjes gjeografike të mbarë territorit të Kosovës. “Natyrisht që kemi vështirësi sepse vështirësi kemi edhe me komunikim ndërinstitucional por edhe me komunikim me Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që është ICMG. Ku është vështirësia kryesore me ICMG-n, por poashtu edhe me institucionet tona. Ka shumë, edhe komunikimet e fërkimet e brendshme dhe mospajtimet e brendshme nuk është mirë të dalin ne publik sepse nuk ndihmojnë. Jo pse nuk jemi transparent por sepse nuk ndihmojnë por disa prej vështirësive janë në mungesë të një qeverie të plotë. Gjatë vitit 2025 është vendosur që njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ të shkelet. Cili është ai? Njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ është përfshirja gjeografike, përfshirja e krejt Kosovës”, tha ndër të tjera Gashani. Kujtojmë se Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë planifikuar të zhvillohen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, duke shënuar herën e parë që Kosova merr rolin e nikoqirit për një ngjarje të përmasave të tilla. Plani i organizimit parashikon përfshirjen e disa komunave të vendit dhe realizimin e projekteve kapitale, ku veçohet ndërtimi i Qendrës Nacionale të Notit në kryeqytet. Megjithatë, mbarëvajtja e këtyre përgatitjeve vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes për shkak të shqetësimeve të ngritura rreth ritmit të punimeve, koordinimit ndërsektorial dhe përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj partnerëve ndërkombëtarë të ICMG-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar