Politikë
Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Dublin: Kurti kërkon mbështetjen e Irlandës për BE dhe NATO
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në nisje të punimeve të samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin nga homologu i tij irlandez, Micheál Martin.
Gjatë këtij takimi, kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se vendi ynë mbështetet fuqishëm te partneriteti dhe përkrahja e Irlandës drejt integrimit euroatlantic, përkatësisht në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe aleancën e NATO-s.
“BE dhe NATO janë organizata të domosdoshme për demokraci, prosperitet dhe sigurinë e përgjithshme. Është e rëndësishme që liderët të takohen së bashku, të diskutojnë dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon dhe me luftën kinetike, sulme në infrastrukturën kritike dhe luftën hibride po shkon përtej agresionit në Ukrainë”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë i ka shprehur mirënjohje të thellë popullit dhe shtetit irlandez për solidaritetin e treguar në vitin 1999, kur strehuan mbi një mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre si pasojë e gjenocidit të ushtruar nga forcat e regjistrit të Sllobodan Millosheviqit dhe ish-Jugosllavisë.
Po ashtu, Kurti ka adresuar një falënderim të veçantë për trupat irlandeze të KFOR-it për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm prej më shumë se dy dekadash e gjysmë në garantimin e paqes, sigurisë dhe mbrojtjes për të gjithë qytetarët pa dallim në Kosovë.
Edicioni i nëntë i Komunitetit Politik Evropian në Dublin ka bashkuar krerë shtetesh e qeverish nga vendet anëtare të BE-së dhe shtete të tjera të kontinentit, me qëllim të trajtimit të sfidave aktuale të sigurisë, zhvillimeve gjeopolitike dhe hapësirave për bashkëpunim dypalësh e rajonal.
Në Qendrën e Konventave në Dublin janë mbledhur rreth 50 liderë ndërkombëtarë. Për shkak se Irlanda mban presidencën e BE-së deri në përmbyllje të këtij viti, ky qytet po pret ngjarje kyçe evropiane, përfshirë këtë samit dhe mbledhjen joformale të Këshillit Evropian.
Agjenda e punimeve gjatë këtyre dy ditëve në kryeqytetin irlandez pritet të dominohet nga situata në Ukrainë, zhvillimet rreth inteligjencës artificiale – që shënon diskutimin e parë të këtij lloji mes udhëheqësve evropianë – si dhe menaxhimi i kërcënimeve hibride në mbarë Evropën.
Komuniteti Politik Evropian funksionon si një platformë joformale dialogu strategjik dhe politik ndërmjet liderëve evropianë, e themeluar në vitin 2022 si përgjigje ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë, ndërsa takimet e tij organizohen dy herë në vit nën moton e sivjetme në Dublin: "Evropa - e fortë, e sigurt dhe e lidhur".
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: