Politikë
Përplasja rreth Ligjit për Gjykatën Speciale: Vetëvendosje kundërshton nismën e PDK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka dalë kundër propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta lënë të pandryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale dhe për ta kaluar atë pa një proces shtesë konsultimesh e shqyrtimi.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka bërë thirrje për maturi në këtë proces vendimmarrës, duke theksuar se hapat e nxituar në të kaluarën kanë prodhuar pasoja të rënda dhe se për këtë çështje nuk do të ketë hapësirë për një lexim të katërt.
“I kemi edhe dy javë kohë. Nuk është mirë që përsëri të nxitohemi e përsëri të gabojmë e të pendohemi. Gabimet po na kushtojnë rëndë. Nuk ka mandej lexim të katërt!”, ka deklaruar Rrustemi.
Ai ka shtuar se Grupi Punues për strategjinë shtetërore mbi Apelin në Hagë duhet patjetër të bashkëbisedojë me Bashkimin Evropian (BE) para se të dalë me një raport në Kuvend për të përcaktuar hapat e ardhshëm ligjorë.
“I gjithë Grupi Punues për Strategji drejt Apelit në Gjykatë Speciale me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhe në krye me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, duhet të takohet dhe konsultohet me BE-në. Pastaj, le të vijnë dhe raportojnë në Kuvend”, është shprehur Rrustemi.
Në anën tjetër, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, PDK-ja ka insistuar në votimin për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula, gjë që do t'i hapte rrugë hyrjes në fuqi të ligjit në formën aktuale, ndërsa korrigjimet e tjera do të bëheshin më vonë përmes amendamenteve.
Megjithatë, ky mekanizëm nuk ka marrë mbështetjen e Vetëvendosjes, e cila ka ngritur alarmin se një praktikë e tillë mund të gjenerojë ngërçe të reja juridike, duke kërkuar në vend të kësaj nisjen e një procedure të re ligjore dhe shfuqizimin e ligjit aktual.
Kujtojmë se ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin miratuar më 6 tetor, kurse më 22 tetor presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer atë mbrapsht në Kuvend, pas insistimit të PDK-së që kishte sponsorizuar ndryshimet.
Kjo nismë ligjore erdhi afërsisht dy javë pasi Gjykata Speciale shqiptoi dënime prej gjithsej 81 vitesh burgim ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhet Selimit.
Përmes paketës së ndryshimeve, PDK-ja kishte synuar që dënimi maksimal të caktohej në 15 vjet burgim, të lejohej e drejta e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales, vuajtja e dënimit të kryhej brenda territorit të Kosovës dhe jo domosdoshmërisht jashtë vendit, si dhe t'i jendej e drejta e amnistisë presidentit të vendit për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara.
Pavarësisht kësaj, kërkesa e PDK-së për rishqyrtimin e ligjit para dekretimit zyrtar nga ana e presidentes nuk kishte gjetur mbështetje unanime nga të gjithë deputetët brenda radhëve të kësaj partie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: