Sport
Ndeshja me Izraelin, “Dardanët” lëshojnë udhëzimet e ngutshme për tifozët
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Kosovës po bëhet gati për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve kundër Izraelit, ndërkohë që tifo-grupi zyrtar “Dardanët” ka ndarë me publikun një apel urgjent për të gjithë mbështetësit kuqezinj.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ata kanë kërkuar nga të gjithë të apasionuarit pas kombëtares që të pajisen me biletat e takimit të ditës së shtunë, duke i tërhequr ato pranë ambienteve të Fanclub-it.
Përveç sigurimit të biletave, udhëzuesi përfshin edhe rregulla të rrepta protokolli, me qëllim që organizimi i kësaj përballjeje të shkojë në perfeksion, duke ruajtur etikën qytetare dhe njëkohësisht duke i dhënë mbështetjen e pakursyer lojtarëve në fushë për të arritur triumfin.
"Ftohen të gjithë anëtarët e Dardanëve që të vijnë te Fanclub-i ose te përfaqësuesit në qytetet ku ndodhen ata, brenda ditës së sotme (e enjte) ose nesër (e premte), deri në orën 23:00, për t’i tërhequr biletat për ndeshjen Kosovë - Izrael, që zhvillohet të shtunën në orën 15:00.
Për shkak të masave të sigurisë, Fanclub-i të shtunën nuk është i hapur. Pra, nuk marrim përgjegjësi për biletat nëse ato nuk tërhiqen brenda afatit të lartcekur.
Ftoheni gjithashtu që, në ditën e ndeshjes, të vini sa më herët, gjithmonë për shkak të protokollit të sigurisë, i cili mund të shkaktojë ndonjë vonesë në hyrje në stadium.
Një përfaqësues i yni do të vendoset pranë “Tiffany”-t, në afërsi të stadiumit, për ndonjë informatë apo ndihmë që mund t'ju nevojitet.
Ta ndihmojmë organizimin e ndeshjes dhe t’i shërbejmë të mirës së përbashkët, duke dhënë përkrahje impozante nga brenda e jashtë, me sjellje shembullore, për t’i marrë tri pikët, me djemtë tanë që presim të na dhurojnë një tjetër paraqitje spektakolare.
Forca djemtë e shqipes, krenaria e Dardanisë! Besa, besë!"
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: