Botë
Kërkimi i pavdekësisë: Shkencëtarët rusë vënë nën lupë 7 mijë majmunë për të zbuluar sekretin e jetëgjatësisë
Reklamë e Sponsorizuar
Kërkuesit shkencorë në Rusi kanë nisur një fushatë të gjerë studimesh mbi primatët e moshuar, me synimin kryesor për të zbërthyer mekanizmat biologjikë të plakjes dhe për të gjetur formula që mund të zgjasin jetën e njeriut në të ardhmen.
Këto projekte ambicioze u bënë publike gjatë një aktiviteti në Moskë nga fizikani i njohur Mikhail Kovalchuk, i cili drejton Qendrën Kombëtare të Kërkimeve «Instituti Kurchatov», një nga komplekseve shkencore më të mëdha shtetërore në vend dhe njëkohësisht bashkëpunëtor i ngushtë i kreut të shtetit, Vladimir Putin.
Gjatë punimeve, Kovalchuk theksoi se analiza e primatëve që shfaqin jetëgjatësi të lartë mund të hedhë themelet për ndërtimin e një mekanizmi rregullues të proceseve jetësore, me synim përfundimtar rritjen e jetës njerëzore.
Prezantimi u mbajt në kuadër të Forumit të Gjenomikës Kurchatov, ngjarje kjo e zhvilluar më 9 dhe 10 nëntor si pjesë e një konference më të gjërë shkencore kushtuar teknologjive që imitojnë dukuritë e natyrës.
Në qendër të vëmendjes së shkencëtarëve janë vendosur majmunët mbi moshën 30-vjeçare, përmes të cilëve po analizohen me detaje të gjitha fazat e kalimit në pleqëri.
Ekspertët po kryejnë kontrolle të hollësishme te kafshët që variojnë nga mosha 18 deri në mbi 30 vjeç, duke vëzhguar treguesit biokimikë, strukturorë, si dhe funksionimin e enëve të gjakut dhe të trurit.
«Primatët përbëjnë modelin biologjik më të përafërt me njeriun, çka shërben si bazë themelore për ngritjen e një sistemi rregullues që synon jetëgjatësinë», u shpreh ndër të tjera studiuesi rus.
Sipas të dhënave zyrtare të institutit, në këto hapësira strehohen mbi 7.000 majmunë që i përkasin 22 llojeve të ndryshme, ndërsa vëmendje e veçantë i kushtohet një grupi unik kafshësh të moshës 20 deri në 30 vjeç.
Vlen të theksohet se shifra e përgjithshme prej 7.000 majmunësh përfshin të gjithë popullatën e kafshëve që mbahen në këto mjedise dhe jo vetëm ato që i janë nënshtruar eksperimentit të plakjes.
Për më tepër, Instituti Kurchatov ka nisur një bashkëpunim strategjik me Qendrën Kërkimore Ruse të Kirurgjisë Petrovsky, për të themeluar një bankë të posaçme me mostra gjaku të marra nga primatët jetëgjatë.
Gjatë të njëjtit forum, drejtuesi i qendrës kirurgjikale, Konstantin Kotenko, bëri të ditur se ky arkiv i mostrave do të shërbejë për të hulumtuar më tej mbi proceset biologjike të plakjes.
Kjo valë kërkimesh përkon drejtpërdrejt me interesin e hapur që presidenti rus ka shfaqur ndër vite për çështjet e jetëgjatësisë dhe sfidimin e kufijve natyrorë të moshës.
Vladimir Putin, i lindur më 7 tetor 1952, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik edhe për qasjen e tij ndaj bioteknologjisë së avancuar.
Një moment pikant ndodhi në shtator të vitit 2025, kur një mikrofon i lënë hapur regjistroi një bisedë private mes tij dhe homologut kinez Xi Jinping, gjatë një parade ushtarake të zhvilluar në Pekin.
Gjatë takimit të tyre zyrtar dhe ceremonive përkujtnimore, dy udhëheqësit diskutuan mbi mundësitë marramendëse që po afron shkenca bashkëkohore.
«Përmes bioteknologjisë, organet mund të zëvendësohen pafundësisht… njerëzit madje mund të arrijnë pavdekësinë», citohet të ketë thënë Putin gjatë bisedës.
Nga ana e tij, Xi Jinping kujtoi se dikur njerëzit «rrallëherë kalonin moshën 70-vjeçare», duke shtuar me batutë se sot «në moshën 70-vjeçare je ende fëmijë».
Lideri kinez shtoi gjithashtu se parashikimet e reja shkencore lënë të kuptohet se njerëzimi mund të arrijë të jetojë deri në 150 vjeç gjatë këtij shekulli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: