Ekonomi
Kryeqyteti gjen zgjidhje alternative: Kompanitë private angazhohen për pastrimin e Prishtinës pas ngecjeve nga pushteti qendror
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se operatorët ekonomikë privatë kanë nisur tashmë angazhimin në terren për t'i ardhur në ndihmë ndërmarrjes publike “Pastrimi”, me qëllim përmirësimin e menaxhimit dhe largimit të mbeturinave në kryeqytet.
Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, i pari i Prishtinës ka theksuar se ky hap emergjent vjen si pasojë e pengesave të vazhdueshme që, sipas tij, Qeveria e Kosovës po ia bën nismave dhe projekteve zhvillimore të komunës.
Sipas kreut të Prishtinës, administrata komunale kishte themeluar një ndërmarrje të re publike për pastrimin, mirëpo Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e kishte vlerësuar negativisht këtë nismë. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se marrëveshja e rëndësishme me institucionin financiar gjerman KfW për sigurimin e 100 kamionëve shtesë për ndërmarrjen “Pastrimi” ka mbetur peng i mosnënshkrimit nga ana e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“E përderisa Qeveria na bllokon vazhdimisht, çmimin po e paguajnë qytetarët e Prishtinës! Prandaj, jemi detyru me kërku ndihmë nga UNDP-ja për angazhimin e operatorëve privatë, që t’i dalin në ndihmë kompanisë ‘Pastrimi’ në menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet”, ka shkruar Rama në postimin e tij.
Më tej, ai ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të ekzekutivit vendor, duke aluduar se komunat të cilat nuk drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje po ballafaqohen me sabotim të qëllimshëm të projekteve të tyre.
“Sepse kjo Qeveri ka vendosë me shpallë armik secilën komunë që nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje! Dhe kjo është marrja ma e madhe që e ka pa Kosova, me i lanë qytetarët pa shërbime, veç pse nuk ta kanë votu partinë!”, ka shtuar më tutje ai.
Në kuadër të inspektimit të gjendjes, kryetari Rama, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, onë dalë në terren për të vëzhguar nga afër nisjen e punës nga ana e operatorëve privatë.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Rama u ka kërkuar ndjesë publike banorëve të kryeqytetit për situatën e krijuar, duke garantuar se autoritetet komunale janë në kërkim të vazhdueshëm të zgjidhjeve për të garantuar shërbimet thelbësore.
“Bllokadat janë jashtë duarve tona, por pasojat po i përjetoni ju. Për me gjetë alternativa e me i vu në punë, po na duhet kohë”, ka përfunduar ai, duke ritheksuar se Prishtina nuk do t'i braktisë qytetarët e vet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: