Botë
Sulmet kibernetike ndaj Francës, Tirana zyrtare: Solidaritet i plotë me aleatët, kërcënimet nga Irani nuk duhet të kalojnë pa ndëshkim
Reklamë e Sponsorizuar
Shqipëria ka konfirmuar mbështetjen e saj të palëkundur ndaj Francës, pas sulmeve të rënda kibernetike që kanë goditur shtetin francez. Sipas informacioneve zyrtare, këto akte janë ndërmarrë nga një njësi ofensive që vepron nën ombrellën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka theksuar se Shqipëria e kupton thellësisht peshën e kësaj sfide, duke iu referuar përvojës së hidhur të vitit 2022, kur institucionet tona u bënë shënjestër e sulmeve të ngjashme nga aktorë shtetërorë iranianë. Tirana zyrtare bën thirrje që këto forma të agresionit kibernetik të mos normalizohen dhe kërkon që autorët të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
“Shqipëria shpreh solidaritetin e saj të plotë me Francën, pas sulmeve kibernetike shkatërruese dhe në një shkallë të paprecedentë, të kryera nga një njësi ofensive kibernetike e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Shqipëria e di shumë mirë, nga përvoja e saj, se me çfarë po përballet sot Franca”, thuhet në reagimin e diplomacisë shqiptare.
Institucioni thekson se sulmet ndaj infrastrukturës kritike përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e shoqërisë, pavarësisht nëse ato kryhen përmes mjeteve konvencionale apo kodit keqdashës. Për këtë arsye, Shqipëria apelon për një qëndrim të unifikuar evropian, forcim të sigurisë kolektive dhe vendosmëri për të mbajtur përgjegjës çdo aktor që përdor sulmet kibernetike si instrument për të destabilizuar shtetet demokratike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: