Kronikë
Dënim shembullor për grabitje të armatosur në Gjakovë: Gjykata shpall vendimin për 7 vite burg
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shqiptuar një dënim prej shtatë vitesh burgim dhe një gjobë prej 500 eurosh ndaj të pandehurit A.M., shtetas i Kosovës, pasi e ka shpallur atë fajtor për kryerjen e veprës penale të grabitjes.
Vendimi është bërë i ditur nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor ku u shqyrtuan provat e rastit.
Sipas dosjes së gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center” në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë. I pandehuri A.M., në bashkëpunim me dy të miturit I.A. dhe A.A., kishin organizuar një takim me viktimën E.B.
Në momentin e takimit, i akuzuari iu afrua viktimës i pajisur me një thikë dhe tentoi t’ia rrëmbejë çantën. Gjatë këtij konfrontimi, ai përdori dorezën e thikës për të goditur viktimën në krahun e majtë, ndërsa më pas preu rripin e çantës për ta përvetësuar atë. Nga portofoli që ndodhej brenda, grabitësi arriti të marrë shumën prej 115 eurosh.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se, pasi kontrolloi çantën dhe mbeti i pakënaqur me sasinë e parave, i pandehuri së bashku me bashkëpunëtorët e tij të mitur e sulmuan viktimën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar atij lëndime të lehta trupore.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga momenti i pranimit të vendimit në formë të shkruar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: