Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Bellingham zbulon periudhën e vështirë te Real Madridi: Futbolli po më konsumonte plotësisht

Redaksia Lajmetereja • 11-11-2026 15:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Bellingham zbulon periudhën e vështirë te Real Madridi: Futbolli po më konsumonte plotësisht
Jude Bellingham ka nisur sezonin 2026/27 në një formë dukshëm më të mirë sesa në edicionin e kaluar, duke rikthyer nivelin e tij më të mirë nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho. Mesfushori anglez po kalon një periudhë pozitive, ndërsa gjatë grumbullimit të Kombëtares së Anglisë do të ketë mundësinë të takohet edhe me vëllain e tij, Jobe Bellingham, i cili gjithashtu është pjesë e “Tre Luanëve”. Futbollisti i Real Madridit ka lënë pas një sezon të vështirë, si në aspektin individual, ashtu edhe në atë kolektiv. Në një intervistë të gjatë për revistën “Vogue”, ai ka folur hapur për vështirësitë që përjetoi gjatë edicionit të kaluar. “Ndonjëherë ndieja se futbolli po më konsumonte plotësisht dhe më bënte të ndihesha shumë i tensionuar dhe i stresuar. Fillova të flisja me dikë që më ndihmoi shumë me këtë dhe me mënyrën se si t’i menaxhoja situata të tilla. Kur kthehesh në shtëpi pas katër ndeshjeve brenda 14 ditësh, e vetmja gjë që dëshiron është të rikuperohesh mjaftueshëm për të shkuar në shtrat kur gjithçka përfundon”, ka rrëfyer Bellingham. Mesfushori anglez ka treguar se gjithçka nisi të ndryshonte pas Kupës së Botës, të cilën e përshkroi si përvojën më të bukur që ka përjetuar ndonjëherë. “Për mua, ndoshta ishte përvoja më e mirë që kam përjetuar ndonjëherë. Futbolli ishte i jashtëzakonshëm, por edhe të qenit në Shtetet e Bashkuara dhe të shihje tifozët duke kënduar ‘Wonderwall’ apo ‘Hey Jude’… Gjatë kohës sa isha pjesë e asaj përvoje, mora një vendim të vetëdijshëm për ta shijuar. Këto gjëra nuk ndodhin shpesh, janë të rralla”, ka thënë ai. Duke folur për jetën në kryeqytetin spanjoll, Bellingham ka treguar se gjëja që i pëlqen më shumë është të luajë për Real Madridin, ndërsa Madridin e ka përshkruar si një qytet elegant edhe kur bie shi. Ai ka folur edhe për marrëdhënien me tifozët madrilenë, duke thënë se, ndonëse njihet pothuajse kudo, në Madrid ndihet disi më i mbrojtur nga vëmendja e tepërt. Bellingham ka treguar gjithashtu se po përmirësohet gradualisht në gjuhën spanjolle, duke theksuar se gjithçka lidhet me fitimin e vetëbesimit për të folur, edhe nëse bën gabime. Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit ka folur edhe për përgjegjësinë që ndien si futbollist profesionist dhe ndikimin që mund të ketë te brezat e rinj. “Përveçse është pasioni im, futbolli është edhe puna ime. Paguhëm për ta bërë këtë. Shumë njerëz investojnë shumë para tek unë. Tifozët janë shumë besnikë dhe shpenzojnë shumë para për të ardhur e për ta mbështetur ekipin. Nuk mund të sillesh si të duash dhe njëkohësisht të përfaqësosh një qytet apo një shtet sa herë që vesh fanellën e tij, sepse je duke frymëzuar dikë. Pavarësisht nëse të pëlqen apo jo, je një shembull për gjeneratën e ardhshme. Unë preferoj ta shoh këtë si privilegj”, ka deklaruar anglezi. Ai ka shtuar se nuk dëshiron që njerëzit ta konsiderojnë si një person të përsosur, pasi edhe ai bën gabime dhe përpiqet të mësojë prej tyre. “Nuk dua që njerëzit të mendojnë ndonjëherë se jam i përsosur. Bën gabime, i pranon ato dhe përpiqesh të mësosh prej tyre”, është shprehur Bellingham. Në intervistë, mesfushori anglez ka zbuluar edhe një histori interesante që ia kishte treguar trajneri i tij aktual, Jose Mourinho. Portugezi i kishte rrëfyer një ngjarje nga koha kur drejtonte Romën, ku një fëmijë gjatë një stërvitjeje kishte bërë tri vrima në pjesën e pasme të çorapeve. Kur Mourinho e kishte pyetur për arsyen, vogëlushi i ishte përgjigjur se po e bënte këtë sepse kështu vepronte Bellingham, me qëllim që të lehtësonte presionin në muskujt e pulpës. Reagimi i Mourinhos kishte qenë epik: “Djalosh, ti je nëntë vjeç. Nuk i ke ende muskujt e pulpës”, kishte qenë përgjigjja e trajnerit portugez.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar