Politikë
Osmani thumbon zhvendosjen e simboleve shtetërore: Nuk janë orendi, por shtylla kurrizore e Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj heqjes së fotografisë së ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, si dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e tyre tradicionale në zyrën e udhëhequr nga Justina Shiroka-Pula, duke i cilësuar ato si elemente të pandashme të identitetit shtetëror.
Duke sjellë në vëmendje ish-kandidatin për president të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bekim Sejdiun, ajo theksoi se një veprim i tillë nuk do të ndodhte kurrë nën drejtimin e tij, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ta paraqitur këtë zhvendosje si diçka të zakonshme.
Kreu i shtetit u shpreh se në hapësirat zyrtare të rëndësisë së lartë, përfshirë edhe kabinetet ndërkombëtare, vendet e nderit kanë një protokoll të përcaktuar qartë. Sipas saj, portreti i Rugova dhe dokumenti i pavarësisë nuk përfaqësojnë thjesht dekore, por themelet mbi të cilat u ngrit shteti.
"Besoj që e gjithë Kosova e di, që Bekim Sejdiu, një kandidat i jashtëzakonshëm që e patëm propozuar për president, asnjëherë nuk do ta zhvendoste as Deklaratën e Pavarësisë e as foton e presidentit historik. Unë e di që tashti tentohet të arsyetohet zhvendosja në pjesë e qoshe të tjera si diçka normale. Megjithatë, nga Zyra Ovale e Presidencës amerikane e deri te zyrat e tjera të rëndësishme, në vendet e nderit dihet kush e ka vendin. S’mund të konsiderohen si elemente dekori. S’janë dekor, janë themelet e shtetit të Kosovës. Kushdo që e relativizon atë, po e relativizon vetë historinë e Kosovës", u shpreh Osmani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: