Politikë
Musliu-Shoshi i lëshon ‘ultimatum’ Qeverisë: Autostradat i bëri PDK-ja, ju s’po mundeni as t’i mirëmbani
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të ekzekutivit gjatë paraqitjes së ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Komisionin për Buxhet, ku në fokus ishte shqyrtimi i ndarjeve buxhetore për vitin 2027.
Gjatë fjalës së saj, ligjvënësja e PDK-së e ka fshikulluar Qeverinë për mungesë të theksuar të investimeve kapitale dhe për paaftësi të plotë në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore ekzistuese.
“Dy autostradat kryesore të Kosovës, me gjithsej 167 kilometra, u ndërtuan gjatë qeverisjeve ku PDK ishte në pushtet. Sot, ju e keni problem edhe t’i mirëmbani! Ne ndërtuam autostrada, ndërsa ju nuk po arrini as t’i mirëmbani ato që i gjetët të gatshme”, u deklarua prerë ajo.
Po ashtu, Musliu-Shoshi ka ngritur alarmin lidhur me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe rënien drastike të standardit jetësor të qytetarëve, duke e vënë theksin te fuqia blerëse.
“Qytetarët nuk ushqehen me statistika, por jetojnë me pagat që marrin! Nëse ekonomia po lulëzon, pse qytetari me të njëjtën pagë sot blen më pak se vitin e kaluar?”, shtroi pyetjen ajo.
Sipas vlerësimit të saj, vala e inflacionit po rëndon mbi shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht te pensionistët, të cilët çdo ditë po gjejnë veten përballë sfida të mëdha për të mbuluar shpenzimet elementare për barna dhe ushqim.
Në këtë linjë, deputetja e opozitës i ka bërë thirrje kabinetit qeveritar që të heqë dorë nga justifikimet dhe të mbajë përgjegjësi direkte për situatën ekonomike në vend.
“Nuk mund ta fajësoni për çdo dështim as opozitën, as Ngushticën e Hormuzit. Jeni në pushtet për të marrë përgjegjësi, jo për të prodhuar arsyetime!”, u shpreh ajo pa doreza.
Në mbyllje të fjalës së saj, Musliu-Shoshi e ka etiketuar projektbuxhetin prej mbi 4 miliardë eurosh për vitin 2027 si një “buxhet mbijetese dhe aspak zhvillimor”, duke kërkuar riorientim të fondeve drejt projekteve konkrete që ndikojnë në ngritjen e mirëqenies qytetare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: