Sport
Akanji flet hapur para ndeshjeve: Ja çfarë e dallon nga kapiteni Xhaka dhe si e komenton situatën e Embolos
Reklamë e Sponsorizuar
Për shkak të mungesës së Granit Xhakës për arsye dëmtimi, mbrojtësi Manuel Akanji do të mbajë sërish shiritin e kapitenit te Përfaqësuesja e Zvicrës, duke marrë drejtimin e skuadrës në dy sfidat e radhës dhe duke trajtuar temat më të nxehta që po diskutohen brenda kampit helvetik.
Duke folur në ditën e tretë të grumbullimit të kombëtares në St. Gallen, 31-vjeçari pranoi se stili i tij i udhëheqjes dallon ndjeshëm nga ai i mesfushorit me origjinë shqiptare.
“Unë nuk jam i njëjti tip si Graniti, kemi karakteristika të ndryshme. Ai është pak më i hapur dhe më i drejtpërdrejtë se unë. Unë ndonjëherë i lë gjërat të rrjedhin vetë”, - u shpreh Akanji, teksa theksoi se pavarësisht dallimeve, synimet mbeten të njëjta për ta siguruar suksesin që në takimin e parë dhe për t'u rikthyer në elitën e Ligës së Kombeve, një objektiv për të cilin Zvicra ka hedhur tashmë themelet e duhura me katër fitore radhazi.
Një tjetër temë e nxehtë në radhët e Zvicrës ka qenë edhe çështja e sulmuesit Breel Embolo, i cili kohët më parë kishte kritikuar hapur Federatën Zvicerane të Futbollit për mosftesën e muajit shtator, e cila lidhej me çështjen e certifikatave të falsifikuara të COVID-it.
Në rolin e zëvendëskapitenit, Akanji është përpjekur të ulë tensionet duke sqaruar se shqetësimet e sulmuesit janë trajtuar dhe diskutuar aty ku duhet: “Ka disa gjëra që e shqetësojnë dhe për të cilat ai ka folur. Ka gjithashtu çështje të caktuara që duhet të diskutohen brenda dhe kjo është bërë”. Ai shtoi se kjo mbetet kryesisht një çështje mes institucionit të futbollit dhe lojtarit, duke mos e parë si shqetësim për grupin, ndërsa nuk fshehu mbështetjen e tij personale: “Ai është një mik i mirë i imi dhe unë e mbështes pothuajse në gjithçka. Prandaj mund ta kuptoj”.
Në kampin zviceran është diskutuar gjithashtu edhe çështja e integrimit të lojtarëve të rinj nga zona frankofone e vendit, por Akanji ka hedhur poshtë çdo aludim për ndarje të mundshme gjuhësore mes futbollistëve.
“Unë nuk shoh asnjë problem. Duhet të përshtatemi. Mund të përpiqemi edhe ne ta kuptojmë frëngjishten. Ndërkohë, unë tashmë mund të komunikoj me ta relativisht mirë”, - përfundoi mbrojtësi zviceran.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: