Politikë
Përplasje në Konferencën e Kryetarëve, Këlliçi: Mos e katandisni Kuvendin në zyrë shërbimi të mazhorancës
Reklamë e Sponsorizuar
Tensionet kanë shoqëruar mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, ku nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj drejtimit të Kuvendit dhe qëndrimit të mazhorancës ndaj nismave të opozitës.
Këlliçi ka ngritur alarmin se shumica parlamentare po bllokon në mënyrë të qëllimshme shqyrtimin e katër projektligjeve të rëndësishme të paraqitura nga Partia Demokratike. Sipas tij, këto nisma parashikojnë shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Paketën e Maleve, si dhe disa dispozita specifike të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat u ndal gjatë te gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, duke theksuar se dokumenti pasqyron qartë krizën e demokracisë parlamentare. Ai përmendi cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës, trajtimin e çështjes së imunitetit të Belinda Ballukut dhe refuzimin e vazhdueshëm të mazhorancës për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Raporti evidenton qartë: Mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe këto janë vetëm disa prej problematikave të shumta që evidenton raporti”, deklaroi deputeti i PD.
Duke iu drejtuar drejtuesve të seancës, Këlliçi theksoi se praktika e mbajtjes së projektligjeve të opozitës në sirtarë vazhdon të jetë modus operandi i mazhorancës, duke shmangur çdo afat zyrtar shqyrtimi për një paketë ligjore që, sipas tij, përbën një kërkesë direkte të vetë Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të vendit.
Ai u shpreh se këto akte ligjore janë të ndërtuara mbi interesa korruptive dhe favorizuese, duke shërbyer si një model ku pasuritë publike dhe territori vihen në shërbim të klientelizmizmit, zhvatjes dhe pastrimit të parave.
Duke u fokusuar te Ligji për Investimet Strategjike, Këlliçi solli shifra alarmante pas 11 vitesh të zbatimit të tij, duke pohuar se 98% e kontratave u kanë kaluar vetëm pesë oligarkëve dhe individëve të lidhur me krimin e organizuar. Ndërkohë, pjesa e mbetur prej 2% u takon investitorëve të huaj, të cilët sipas tij janë gjithashtu persona të afërt me kryeministrin Edi Rama.
Në përmbyllje të fjalës së tij, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit që të marrë përgjegjësinë dhe t'i përfshijë menjëherë këto nisma në rendin e ditës, duke garantuar votimin e tyre në seancë plenare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: