Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

I palodhshëm në gjurmime, i guximshëm në kërkime, argumentues dhe i ekuilibruar në konkluzione

Redaksia Lajmetereja • 11-11-2026 07:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
I palodhshëm në gjurmime, i guximshëm në kërkime, argumentues dhe i ekuilibruar në konkluzione
Tashmë asgjë nuk më çudit, kur bëhet fjalë për punën kërkuese - studimore dhe për kontributet intelektuale të studiuesit pukjanë, z. Pashk Alia, por sigurisht që shpalosja, një pas një, e punës së tij të ballafaqon gjithnjë me befasi e risi, sidomos sa i takon gjerësisë së materialit të trajtuar, por edhe metodikës studimore - shkencore të ndjekur prej tij dhe të konkluzioneve që sjell për lexuesin. Në vëllimin e tij të dytë të enciklopedisë “Puka”, që vetëm autori mund t’a dije se ku e ka fundin, (bile, ndoshta edhe ai, jo!), Pashk Alia trajton dy elemente: popullsinë dhe rrugët, duke na zbuluar gradualisht të gjitha gjymtyrët e studimit të tij të gjerë dhe kompleks. Pasi na parashtroi gjeografinë në vëllimin e parë, me një paraqitje sa shkencore e multidisiplinore, po aq edhe të thjeshtë e praktike, tani autori na prezanton popullsinë e Pukës dhe rrugët e saj, një zgjedhje kjo e zgjuar nga ana e tij, pasi vetëm në këtë ndërlidhje, mjedis gjeografik apo territor - popullsi - udhëlidhje, krijohen kushtet për trajtjesa të tjera, që ngrihen mbi to, sa i takon ekonomisë, kulturës, etj. Është fakt i pamohueshëm se njeriu, pasi zgjedh për banim pjesët më të favorshme të natyrës, nuk qëndron pasiv, por e transformon atë, e përshtat dhe e ndryshon natyrën, gjithnjë në favor të krijimit të shtratit të përshtatshëm, apo djepit, ku jeta rrjedh e përkundet në fatet e saj, duke synuar përfitime maksimaliste nga natyra. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe ky terren gjeofizik, nuk mund të mos ndikoje tek njerëzit, duke e drejtuar, e deri diku, edhe unifikuar fizikun e tyre, duke kushtëzuar ekonominë, por edhe kulturën e mënyrën e jetesës së tyre, dallueshëm nga zonat e tjera., ndërkohë që rrugët e komunikimit janë ato që e bëjnë ndërlidhjen mes njerëzve, nënzonave të afërta e të largëta, sepse ndikojnë që t’a zhvillojnë ekonominë e tyre, zhvillojnë shkëmbimet tregtare dhe ndikojnë reciprokisht në ndërlidhjet e shumëanëshme mes zonave të ndryshme dhe për më tepër, bëhen një faktor jo pak i rëndësishëm në unifikimin e kompaktësimin e vendbanimeve në një territor të caktuar. Ndonëse nuk përbën qëllim të tij, autori në këtë kuadër na sjell edhe një profil të shkurtër antropologjik të popullsisë pukjane. Në këtë proces studimi, krijimin e shoqërisë pukjane si një ndërlidhje me ndikime të fuqishme reciproke mes terrenit fizik, njerëzve dhe udhëve të komunikimit, brenda një territori relativisht të gjërë, na e sjell autori në librin e tij të dytë të enciklopedisë shumëvëllimshme. Është kjo një zgjedhje metodike e shkencore për të krijuar bazamentin logjik të prurjeve të mëvonshme dhe vijuese prej tij, deri në përmbushjen e qëllimeve që i ka vënë vetes, dhe për të cilat ka shumë vite që punon. Lexuesi i vëmendshëm e kupton këtë qasje gjatë leximit, por autori, i drejtpërdrejtë siç është ai, e sqaron bukur e hapur edhe në përmbylljen e këtij libri, apo në konkluzionet e tij, kur thekson se: “…para se Puka të ishte histori, kulturë apo kujtesë, ajo ishte dhe mbetet territor, … dhe është popullsi e marrëdhënie….” (fq. 336) duke konkluduar se njohja e tyre është pikënisje për çdo njohje tjetër. Nëse do të më duhet të them me pak fjalë se ç’përfaqëson ky vëllim në sytë e mendjen e një lexuesi joprofesionit, do t’a karakterizoja atë dhe autorin e tij, pak a shumë me këto fjalë: I palodhshëm në gjurmime, i guximshëm në kërkime, argumentues dhe i ekulibruar në konkluzione. Të gjitha këtyre u shtoj edhe faktin se autori na paraqitet edhe si një metodist i mirë në të gjithë mënyrën e shpalosjes së lëndës për lexuesit e librit e përdoruesit e mundshëm të informacionit që përcillet në të. Palodhshmërinë e tij e konstaton me faktin e thjeshtë se nuk ka asnjë faqe të librit ku nuk gjejmë referenca shkencore të plota, e gjithnjë më shumë se sa një të tillë. Nëpër faqet e librit citohen rreth 100 autorë të huaj e vendës, ballafaqohen prurjet e veçantitë e secilit prej tyre, gjithnjë në funksion të arritjes së një mendimi nga autori, mendim apo qëndrim i cili nuk mungon asnjëherë. Guximin e autorit në kërkimet e tij e konstatojmë në faktin se ai shkon përtej asaj sa ç’janë shpalosur deri sot edhe nga studiues të mirëfilltë, vendas apo të huaj qofshin ata, sidomos në këmbënguljen e argumentimin që hipoteza, tashmë thuajse e braktisur e pellagjisë dhe lidhjeve tona në rrënjët e saj, vjen në këtë libër si një tezë të cilës autori nuk i trembet aspak. E konstaton bukur këtë edhe redaktori shkencor i këtij libri, profesor, doktor, Sazan Guri. Ja si e shpreh ai: “Autori nuk rresht pa përmendur burimet antike… për ekzistencën reale të pellazgëve,…, dhe del në përfundim të fortë shkencorë se pellazgët nuk janë krijim i fantazisë, por ‘substrat – bazament’ etnik real parahelen.” (fq. 11) dhe ai (autori), duke vënë gishtin mbi plagë, e thotë hapur, bukur e me guxim “…se rishikimi i rolit të pellazgëve nuk duhet parë si një sfidë ndaj historisë greke, por si një përpjekje për të kuptuar më saktë kompleksitetin etnik dhe kulturor të botës parahelene.” (Po aty). Autori dhe prurja e tij, ndonëse e gjerë dhe komplekse, në gjithçka i japin lexuesit në këtë vëllim paraqiten të argumentuara plotësisht. Fakti se libri e shoqëron materialin e tij me 31 harta cilësore, ka rreth 111 tabela me të dhëna në funksion të temës apo nëntemës, (çështjes) që trajton dhe 8 skica shpjeguese, e të gjitha këto të shpërndara aty ku trajtohet problemi, jo të grupuara, gjë që mund të përbënte lehtësi teknike dhe financiare për botimin, janë mjaftueshëm për t’a thënë pa ndrojtje konkluzionin e sipërpërmendur. Jo vetëm kaq, por autori Pashk Alia i kthehet e rikthehet argumenteve disa herë, me kujdesin për të mos rënë në përsëritje, por me të njëjtin kujdes e qëllim që konkluzioni asnjëherë mos të vije si “rrufe në qiell të kthjelltë”, gjë që flet shumë për këtë përmasë, apo veçori të studimit të tij. Libri dhe autori i tij në gjithë materialin e sipas çështjeve të trajtuara, nuk qëndrojnë kurrë jashtë, apo indiferent, gjë që do të sillte rrezikun e kthimit të tij në një grumbull njohurishë pa maje. Përkundrazi, ata sjellin gjithnjë konkluzione, të cilat herë shkojnë disi në përputhje me njohuri të përftuara nga studiues të mëparshëm, por që vijnë këtu të seleksionuara në përputhje me qëllimin e studimit, herë tjetër vijnë si kundërshti ndaj tyre, dhe shpesh si një shteg i hapur, ku mund të gjurmohet edhe në vijimësi. Kjo, sipas meje, është ekulibër, jo konformizëm. Pse? Askush s’mund t’a ketë në pronësi të vërtetën, për më tepër të gjithë të vërtetën, e sidomos kur bëhet fjalë për të pashkruarën, fakt që fatkeqësisht e shoqëron historinë tonë, sidomos atë të lashtësisë së hershme. Libri i autorit Pashk Alia, me prurjet e gjetjet e tij, është vlerë e shtuar në fondin e studimeve albanologjike, e gur themeli në fondin e studimeve për Pukën. Një studim, edhe sikur një tezë të re, vetëm një të tillë, të sjellë për lexuesit a përdoruesit, e përligj veten, ashtu siç ia shtojnë atij vlerat edhe fakti se i hap udhë punës për kërkime të reja edhe më të thelluara në vijimësi e për çeshtje konkrete studimore, për faktin se e ngre stekën shumë lart. Pasi me shkencën ngjet si me horizontin, veçse në kahje të ndryshme, sepse në natyrë sa më lart ngjitesh, aq më i madh bëhet horizonti që të shpaloset parasyshë, ndërsa në shkencë, sa më shumë thellohesh në një çeshtje drejt të paditurës, aq më shumë pikëpyetje vihen e aq më shumë nevoja për eksplorime të tjera t’a ngacmojnë vetëdijen. Shkrova pak më lart se edhe mua, kjo më ka lënë mbresa në punën e Pashkut, se gjithë materiali i këtij libri vjen në përputhje me metodikat e njohura shkencore të studimit, po aq edhe didaktikisht bukur e lehtësisht edhe i përvetësueshëm nga shtresat e lexuesve mesatarisht të ngritur, por mund të shërbeje edhe si lëndë mësimore për shkollat e mesme, disa tema janë të përdorshme edhe me vlera për nivelet universitare, dhe i gjithë libri paraqitet me vlera të mëdha e të padiskutueshme akademike. e bën bukur lidhjen e popullsisë pukjane me popullsinë dardane - ilire - arbnore - shqiptare, me të gjitha karakteristikat e saj, e lidh gjithashtu zinxhirin e vijimësisë me kulturat e tjera pararendëse, ku ai këmbëngul pa mëdyshje mbi zanafillat e lidhjet e hershme me kulturën pellazgjike, apo parahelene, të cilën autori e cilëson disa herë. Libri analizon të gjitha vendbanimet e hershme të territorit që sot njihet si Puka, sidomos Komanin, të cilin me të drejtë e tipizon me ndikime të gjëra edhe përtej Pukës, apo si “kultura e Komanit”, por edhe Apicarien etj, ashtu siç jep edhe dinamikën e zhvillimit të popullsisë, procesin e migracionit, duke analizuar hollësisht faktorët ndikues, natyrorë ose jonatyror, deri në ditët tona. Janë interesante të dhënat mbi strukturën e familjeve pukjane, përbërjen e tyre, analizuar sipas numrit të anëtarëve, numrit të kunorëve (çifteve) në to, përbërja sipas nivelit arsimorë, sipas mënyrës së punësimit etj. Tabela të plota e paraqesin dhe e argumentojnë me detaje popullsinë që merrej me bujqesi e blegtori, atë që merrej me industri, inteligjiencën, sektorët arsim - kulturë - shëndetësi etj., duke e bërë librin, veç të tjerash, edhe një “statistikë gjigande” me vlera të shumanëshme përdoruese e studimore. Nuk mund t’i shpëtonte autorit Pashk Alia as lidhja e popullsisë pukjane me religjionet e sidomos harmonia e trashëguar e marrëdhënieve mes tyre. Kishat e shumta, sidomos në Koman, flasin për lidhjet e hershme e të natyrshme me besimin katolik romak të vendasve. Shpalosja e udhëve në të gjithë territorin e Pukës, duke nisur që nga ato antike e deri në kohët moderne, veçanërisht rrugët e shumta këmbësore, që trajtohen për herë të parë e shteruese prej autorit, por edhe ato automobilistike, sipas njësive vendore, shoqëruar me të dhëna mbi fillimin, pikat kyçe ku kalojnë e distancat e tyre, vijnë si kontribut autentik i autorit. Jo vetëm kjo, por edhe koncepti mbi çetat si emërvende vjen me një trajtim origjinal, ashtu siç trajtohen bukur edhe burgjet e hanet e Pukës. Libri jep plot njohuri, ndriçon shumë skuta historike deri më tani në errësirë, sqaron shumë pikëpyetje e hap oreksin për të tjera të tilla, duke e bërë atë jo një kapak të mbyllur, por një sistem të hapur që i shpalos të tria përmasat kohore: hedh dritë mbi të shkuarën, analizon të sotmen (periudhën bashkëkohore), dhe hap horizonte drejt perspektivës, jo vetëm studimore, por edhe jetësore, në atë rajon të bukur që shtrihet mes territoreve dardane e dukagjinase, e ku udhë të vjetra e të reja e kryqëzojnë territorin e saj, duke e bërë jo thjesht histori, por edhe të sotme e po aq edhe perspektivë ekonomike dhe jetësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar