Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

PDK kërkon nga ekzekutivi kalimin e menjëhershëm të Projektligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend

Redaksia Lajmetereja • 29-09-2026 09:40
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
PDK kërkon nga ekzekutivi kalimin e menjëhershëm të Projektligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend
Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur zërin duke kërkuar që Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet urgjentisht për shqyrtim dhe votim në legjislativ. Arian Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shmangë çdo lloj zvarritjeje në këtë drejtim. “Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces. Ndërsa institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse”, u shpreh ai. Në fjalën e tij, Tahiri u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të dëshmojnë maturi, përgjegjësi dhe angazhim konkret, duke kujtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i përket të gjithëve. “Ne, si përfaqësues të popullit, thjesht po e përcjellim kërkesën e qytetarëve. Ata burra që dhanë kontributin e tyre që ne të jetojmë të lirë, duhet të jenë sa më shpejt të lirë dhe të dëshmohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Nuk do të ndalemi. Si Grup Parlamentar dhe si Parti, do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë proces”, shtoi më tej ai. Në anën tjetër, deputeti Përparim Gruda qartësoi se ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ nuk cenojnë asnjë detyrim ndërkombëtar që vendi ka marrë përsipër përmes amandamenteve kushtetuese dhe marrëveshjes së ratifikuar me Bashkimin Evropian. “Gjykata Speciale është themeluar me qëllimin për të hetuar trafikimin e organeve. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve dhe aktgjykimi në shkallë të parë, ka vërtetuar që ata, të katërtit nuk kanë lidhje me trafikim organesh. Duke qenë se ata akuzohen përtej kësaj, ne mendojmë që është e mundur që në shkallë të tretë përmes këtij ligji të garantohet një gjykim në Kosovë, sepse nuk mund të kemi dy sisteme paralele juridike”, theksoi Gruda. Duke pasur parasysh mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit më 6 tetor, Gruda bëri thirrje që ekzekutivi të veprojë me shpejtësi, duke shtuar se vullneti i qytetarëve nuk mund t'i nënshtrohet kurrfarë diktati. “Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve që kanë punuar në PDK, jashtë PDK-së. Kjo nuk do të thotë që nuk jemi të hapur të dëgjojmë opinione tjera për ta përmirësuar cilësinë e ligjit. Asnjë zyrë administrative e qeverisë dhe asnjë zyrë tjetër kudo qoftë brenda institucioneve të Kosovës, nuk ka të drejtë të mbajë peng vullnetin e popullit të Kosovës dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Ky nuk është ligj i PDK-së”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar