Aktuale
Pas 27 vitesh pritjeje, mjeku Adem Ademi do të prehet në banesën e fundit më 28 Nëntor
Reklamë e Sponsorizuar
Pas një periudhe të gjatë ankthi e pritjeje që zgjati plot 27 vjet, familja e doktor Adem Ademit, figurë e shquar e “Grupit të Intelektualëve”, ka marrë vendimin që rivarrimi i tij të bëhet në një datë simbolike për kombin: 28 Nëntorin.
Lajmin e ka konfirmuar Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Gara bëri të ditur se ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar me Erblin Ademin, djalin e doktorit, i cili është njoftuar për të gjitha detajet rreth procesit të rivarrimit.
Në një mesazh emocionues, Gara ka theksuar simbolikën e fortë të kësaj dite, e cila përkon me Ditën e Flamurit, përvjetorin e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, kjo datë shënon edhe ditën e rivarrimit të heroit Isa Boletini, duke e bërë 28 Nëntorin një moment të ndërthurur me histori e krenari kombëtare.
“Një përkim sa domethënës, aq edhe prekës për jetën dhe veprimtarinë e doktor Adem Ademit, i cili profesionin ia kushtoi shërimit të njerëzve, ndërsa një pjesë të jetës së tij ia kushtoi lirisë dhe dinjitetit të vendit”, u shpreh Gara. Ai shtoi se për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur, kjo datë do të ketë një peshë të veçantë, duke i dhënë lamtumirën e merituar një intelektuali që ndau idealet e lirisë me figurat më të rëndësishme të historisë sonë të re.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: