Politikë
Vizita e Listës Studentore serbe në Kosovë, MPJD sqaron statusin e tyre: Nuk kërkuan leje zyrtare
Reklamë e Sponsorizuar
Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore nga Serbia në Kosovë ka ngritur pikëpyetje të shumta në opinionin publik, lidhur me mënyrën se si është mundësuar qëndrimi i tyre në territorin e vendit.
Në një përgjigje zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare për vizitë nga ky subjekt politik, i cili aktualisht është në proces të marrjes së pushtetit në Serbi.
Institucioni ka sqaruar se, përderisa këta individë nuk ushtrojnë ende funksione shtetërore në Serbi, hyrja e tyre është trajtuar si e çdo qytetari tjetër. “Duke qenë se përfaqësuesit në fjalë nuk mbajnë akoma funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Republikën e Kosovës janë realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përgjithshme për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të Serbisë në Republikën e Kosovës. Për vizita të kësaj natyre nuk kërkohet miratim paraprak nga MPJD-ja”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Fegja Dimoviq, kandidat i kësaj liste, deklaroi se Kosova zë një vend qendror në platformën e tyre politike, duke e cilësuar atë si “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe një element thelbësor të identitetit të tyre shpirtëror e kulturor.
Në kuadër të këtij udhëtimi, vizitorët nga Beogradi zhvilluan ndalesa edhe në Manastirin e Graçanicës dhe atë të Deçanit, të cilat administrohen nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: