Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Pochettino favoriti kryesor për ta zëvendësuar Carrickun në stolin e Man Utd

Redaksia Lajmetereja • 10-11-2026 16:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Michael Carrick duket se i ka ditët e numëruara në stolin e Manchester Unitedit. As përmbysja heroike në Evropë ndaj Romës (3-2), e as barazimi dramatik ndaj Aston Villas (4-4), nuk kanë mjaftuar për ta shpëtuar trajnerin anglez. Manchester United ndodhet në vendin e 18-të në Ligën Premier dhe do ta kalojë pushimin për ndeshjet e kombëtareve në zonën e rënies nga liga. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit janë të detyruar të ndërmarrin hapa konkretë, ku i pari pritet të jetë shkarkimi i Carrickut. Sipas raportimeve të mediave të mëdha britanike, Manchester United pritet ta shkarkojë Michael Carrickun nga pozita e trajnerit. Megjithatë, para marrjes së vendimit përfundimtar, BBC Sport raporton se e ardhmja e trajnerit do të diskutohet në një takim që do të mbahet të mërkurën në Monako, ku do të marrin pjesë bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe, drejtori ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori i futbollit Jason Wilcox. Takimi ishte planifikuar më herët, por një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë pikërisht e ardhmja e Carrickut. Ndërkohë, emri i fundit që po lidhet me stolin e “Djajve të Kuq” është Mauricio Pochettino. Sipas The Telegraph, përzgjedhësi aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e Manchester Unitedit, në rast se Carrick shkarkohet. Pochettino ka kontratë me përfaqësuesen amerikane deri në vitin 2030, pasi në gusht nënshkroi vazhdimin e saj. Megjithatë, sipas BBC Sport, marrëveshja përmban klauzola që do t’i mundësonin largimin për të marrë drejtimin e ndonjë klubi të madh. Sky Sports News raporton se prishja e kontratës së tij me Federatën Amerikane do t’i kushtonte Manchester Unitedit rreth shtatë milionë funte, apo pak më shumë se tetë milionë euro. Përveç Pochettinos, drejtuesit e klubit anglez kanë shqyrtuar edhe emra të tjerë për këtë pozitë. Sipas raportimeve, Manchester United ka kontaktuar me Eddie Howen dhe Julian Nagelsmannin, ndërsa edhe Antonio Conte është i interesuar për ta marrë drejtimin e skuadrës. Trajneri që do ta zëvendësojë Carrickun do të bëhet i 12-ti që merr drejtimin e Manchester Unitedit që nga largimi i legjendës Sir Alex Ferguson në vitin 2013.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar