Ekonomi
Presidenca ndan mbi 273 mijë euro për bileta avioni gjatë tri viteve
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenca ndan mbi 273 mijë euro për bileta avioni, kontrata mbulon 700 bileta për tre vjet
Zyra e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka ndarë 273 mijë e 3 euro për sigurimin e biletave të avionit për nevojat e institucionit gjatë tri viteve të ardhshme.
Kontrata, me kohëzgjatje prej 36 muajsh, është dhënë më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është paraparë të bëhet një ditë më vonë.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), përmes këtij tenderi synohet të sigurohen gjithsej 700 bileta avioni.
Fitues i tenderit është shpallur kompania “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa në procesin e prokurimit kanë konkurruar dy operatorë ekonomikë.
Në dokumentacionin e tenderit është përcaktuar çmimi referues prej 390 eurosh për biletë, si dhe tarifa e shërbimit, e njohur si “service charge”, në sasi prej 300 njësive.
Megjithatë, kjo shumë nuk nënkupton se çdo biletë do të blihet me çmim prej 390 eurosh. Ky çmim është orientues për kalkulimin dhe vlerësimin e ofertave, ndërsa kostoja përfundimtare do të varet nga çmimet në treg dhe rezervimet përmes sistemeve ndërkombëtare të biletave, përfshirë AMADEUS, GALILEO dhe SABRE.
Si arsyetim për këtë kontratë, Zyra e Presidentes ka paraqitur nevojat e viteve të kaluara dhe planifikimin e udhëtimeve zyrtare për periudhën e ardhshme trevjeçare.
Sipas specifikimeve të tenderit, 60 për qind e udhëtimeve pritet të realizohen në destinacione evropiane, ndërsa 40 për qind në pjesë të tjera të botës.
Biletat parashihet të jenë kryesisht të kategorisë ekonomike, me përjashtime vetëm në raste të veçanta kur kjo kategori nuk mund të sigurohet.
Kontrata përcakton edhe përgjegjësitë e kompanisë fituese, e cila obligohet ta njoftojë Presidencën për ndryshimet e çmimeve, anulimet e fluturimeve, ndryshimet e orareve dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ndikojë në udhëtimet zyrtare.
Po ashtu, kompania duhet të ofrojë shërbime edhe jashtë orarit të rregullt të punës, nga ora 08:00 deri në 16:00, veçanërisht në rastet e anulimeve, grevave apo problemeve të tjera me fluturimet.
Ndër kërkesat e tjera është që operatori ekonomik ta informojë institucionin, në momentin e blerjes së biletës, për afatin deri në të cilin ajo mund të anulohet pa kosto shtesë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: