Kronikë
Tragjedi në autostradën e Bullgarisë: Mbi 70 automjete përplasen në mjegull, humbin jetën 12 persona
Reklamë e Sponsorizuar
Një seri aksidentesh të rënda zinxhir, ku u përfshinë më shumë se 70 mjete në autostradën Trakia në Bullgari, ka lënë pas 12 të vdekur dhe 46 të plagosur. Ngjarja tragjike ndodhi pranë kryqëzimit të Zimnicës, duke paralizuar plotësisht qarkullimin rrugor në të dyja kahet e lëvizjes.
Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, bëri të ditur se 10 viktima ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë nuk mundën t'u mbijetonin plagëve, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore në spital. Ajo shtoi se 46 të lëguar të tjerë po marrin trajtimin e nevojshëm spitalor, ndërkohë që situata mbetet ende shqetësuese.
Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Slivenit, Mihail Kasherov, e cilësoi pamjen në vendngjarje si një skenë të papërshkrueshme dhe të pashembullt, duke konfirmuar se numri i mjeteve të përfshira, mes të cilave vetura dhe kamionë, kalon shifrën 70.
Autoritetet bullgare dyshojnë se mjegulla e dendur, e cila kishte reduktuar ndjeshëm fushëpamjen, ka qenë shkaktari kryesor i kësaj katastrofe që përfshiu të dyja karrexhatat e autostradës drejt Burgasit dhe Sofjes. Për më tepër, drejtori i Administratës Rajonale të Rrugëve, Galin Kostov, vuri në dukje se në aksident ndikuan edhe lagështia në rrugë dhe shpejtësia e papërshtatshme për kushtet e motit.
Për shkak të pranisë së madhe të kamionëve të dëmtuar dhe nevojës për hetime të hollësishme, Agjencia e Infrastrukturës Rrugore njoftoi se autostrada Trakia do të mbetet e bllokuar për një kohë të gjatë. Për të lehtësuar qarkullimin, policia ka orientuar devijimin e trafikut përmes rrugëve alternative nëpërmjet Karnobatit, Slivenit, Krushares, Hadzhidimitrovos, Gorno Aleksandrovos dhe Zimnicës.
Në lidhje me këtë situatë emergjente, Policia e Burgasit ka përsëritur thirrjen për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të mbajnë distancën e duhur të sigurisë, sidomos në zonat me dukshmëri të kufizuar.
Si pasojë e kësaj tragjedie kombëtare, vizita e planifikuar në Yambol e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Nataliya Efremova, dhe ministrit të Rinisë dhe Sportit, Encho Keryazov, është anuluar zyrtarisht bashkë me të gjitha aktivitetet e tjera të parapara në agjendën e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: