Kronikë
Goditen piratët e transmetimeve televizive: Tre persona dënohen me burg për mashtrim kompjuterik në Tiranë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata ka dhënë dënimin me burg për tre persona, të cilët u shpallën fajtorë për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, pas një hetimi të udhëhequr nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Të pandehurit F.Ç., A.S. dhe E.Xh. dolën përgjegjës para ligjit për shpërndarjen e paligjshme të paketave televizive përmes pajisjeve dekoder.
Operacioni dhe hetimet e thelluara nisën në bazë të kallëzimit të bërë nga shoqëria Digitalb në vitin 2023, në kuadër të procedimit penal nr. 6847. Sipas kallëzimit, disa subjekte operonin në rrjetet sociale duke shitur paketa televizive të kësaj kompanie dhe duke mashtruar qytetarët se gjoja zotëronin të drejtat e transmetimit, duke përfituar kështu të ardhura në dëm të operatorëve legjitimë.
Nëpërmjet veprimeve simuluese të blerjes, organi i akuzës arriti të zbulojë dhe të dokumentojë aktivitetin e çdo subjekti të përfshirë. Bëhet fjalë për subjektin “FRA SYSTEM IPTV” në pronësi të shtetasit F.Ç., i cili e tregtonte paketën për 79 euro; subjektin “Elektronika Shop” në pronësi të shtetasit E.Xh., i cili operonte në Facebook duke shitur paketa për 4000 lekë dhe i shpërndante me anë të shërbimeve postare private; si dhe subjektin “4k server (Kanale.al)” në pronësi të shtetasit A.S., i cili promovonte shërbimet e tij përmes platformës Instagram.
Skema konsistonte në instalimin e aplikacioneve të veçanta në pajisje elektronike, të cilat u mundësonin klientëve të tretë të aksionin kanalet televizive private të platformave të tilla si Digitalb, Tring dhe paketa të tjera ndërkombëtare, pa pasur asnjë lloj licence apo leje nga zotëruesit e ligjshëm të të drejtave të autorit.
Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemet kompjuterike dhe rrjetet e transmetimit të të dhënave. Të dhënat e koduara, të destinuara vetëm për abonentët e autorizuar, u siguruan dhe u shpërndanë në rrugë abuzive duke anashkaluar sistemet e kontrollit të sigurisë, çka plotëson të gjitha elementët e parashikuara në nenin 143/b të Kodit Penal.
Sipas provave të grumbulluara gjatë hetimit, i gjithë aktiviteti është kryer me dashje direkte dhe me qëllim përfitimi material personal, duke shmangur në këtë mënyrë çdo detyrim financiar, taksë apo kontratë me subjektet që ofrojnë shërbime transmetimi në përputhje të plotë me ligjin.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi u provua fajtoria e tyre për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik” parashikuar nga neni 143/b, paragrafi 1 i Kodit Penal, gjykata vendosi t'i dënojë secilin prej të pandehurve me nga nëntë muaj burgim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: