Kronikë
Mbrojtja kërkon kohë për dosjen, shtyhet seanca gjyqësore në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit
Reklamë e Sponsorizuar
Procesi gjyqësor ndaj Adnon Jasharit, i cili po gjykohet në mungesë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, është shtyrë për datën 23 dhjetor. Vendimi u mor pasi avokati mbrojtës, Haxhi Millaku, kërkoi kohë shtesë për t'u pajisur me shkresat dhe për të shqyrtuar dosjen e plotë të këtij rasti.
Avokati Millaku pohoi se pavarësisht faktit se autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar qysh në vitin 2011, gjatë gjithë fazës së procedurës paraprake nuk i ishte siguruar qasja e duhur në dokumentacionin e lëndës. Ai kërkoi ndërprerjen e seancës fillestare për t'i lënë hapësirë njohjes me materialet hetimore.
“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”, deklaroi ai.
Në krahun tjetër, prokurorja Fatmire Cacaj theksoi se shkresat përkatëse i ishin dorëzuar në muajin prill avokates Ardita Berisha, e cila kishte qenë e caktuar më parë përfaqësuese ligjore e të pandehurit, duke shtuar se Millaku ka pasur hapësirë të mjaftueshme për t'u interesuar për to.
“Sa i përket shkresave të lëndës, të njëjtat janë dorëzuar që nga muaji prill i këtij viti avokates Ardita Berisha që është caktuar, nga ajo kohë deri tani avokati ka pasur mundësi që të interesohet sa i përket shkresave të lëndës”, u shpreh ajo.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Sulltane Hoti aprovoi kërkesën e mbrojtjes, duke vendosur që seanca e radhës të mbahet më 23 dhjetor, në ora 09:00, teksa urdhëroi prokurorinë që t'i dorëzojë menjëherë shkresat e lëndës avokatit.
“Aprovohet propozimi i avokatit, seanca e radhës caktohet me datën 23 dhjetor në ora 09:00. Po ashtu obligohet prokurori të japë shkresat e lëndës”, tha ajo.
Ky proces gjyqësor po zhvillohet në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i cili rëndohet me akuzën e vrasjes së ish-bashkëshortes. Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 22 tetor 2026 për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Tragjedia ndodhi më 18 maj 2011 në Prishtinë, ku 27-vjeçarja Diana Kastrati u qëllua për vdekje me armë zjarri teksa po nisej për në fakultet. Ky rast kishte ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik, pasi viktima më herët i ishte drejtuar institucioneve për të kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjent, i cili nuk iu sigurua në kohën e duhur. z
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: