Sport
Emocionet e fanellës dhe ëndrra evropiane, flet sulmuesi i Kosovës: Kjo ndjenjë nuk përshkruhet me fjalë
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Dion Gallapeni, ka ndarë me publikun rrëfimin e tij rreth rrugëtimit me Dardanët, duke evokuar krenarinë e debutimit, por edhe ndjenjën e hidhur të eliminimit përballë Turqisë në finalen e plejofit për Kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Gjatë një interviste të dhënë për kanalet zyrtare të skuadrës së tij, Wisła Płock, e cila u publikua këtë të hënë, talenti kosovar është kthyer pas në kohë te hapat e parë me fanellën e kombëtares, duke e cilësuar si një privilegj të jashtëzakonshëm mundësinë për të mbrojtur ngjyrat e vendit të tij.
Gallapeni ka sjellë ndër mend çastet e debutimit në sfidën e kthimit kundër Islandës, e cila vlente për fazën e plejofit për kalimin nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, ndeshje në të cilën ai pati mundësinë të aktivizohej për rreth dhjetë minuta në fraksionin e dytë të lojës.
“Ishte një nder i madh për mua. Isha shumë, shumë i ri, luaja te Prishtina, në kampionatin e Kosovës. Ishte e vështirë, sepse në Përfaqësuese kishte futbollistë që luanin në liga të forta evropiane. Por, ishte vërtet diçka e madhe”, ka deklaruar Gallapeni.
Në fjalën e tij, 21-vjeçari u ndal te zhgënjimi i shkaktuar nga humbja në finalen e plejofit ndaj Turqisë për një vend në Botërorin 2026, duke pranuar se ky rezultat la pas një shije të zymtë, pavarësisht ecurisë pozitive dhe rritjes së vazhdueshme që po tregon ekipi kombëtar.
“Të luash në finalen e plejofit ishte diçka e jashtëzakonshme për ne dhe për gjithë vendin. Nuk arritëm të kualifikoheshim, por jemi një shtet i ri dhe po rritemi me çdo ndeshje. Kishte zhgënjim, sepse ishte një mundësi e shkëlqyer për futbollistët dhe për të ardhmen e Përfaqësueses. Megjithatë, ne nuk ndalemi. Duhet të shikojmë përpara”, ka thënë ai.
Duke analizuar rolin dhe ambientimin e tij brenda grupit, anëtari i Dardanëve vlerësoi lart frymën e bashkëpunimit dhe hapësirat që po i jepen për të dëshmuar vlerat e tij në këtë nivel sfidues.
“Tani luaj në shumë ndeshje, kështu që është mirë. Kam kimi të mirë me bashkëlojtarët. Ata janë futbollistë të shkëlqyer dhe luajnë çdo ditë përkrah futbollistëve të tjerë të nivelit të lartë. Natyrisht, kjo është një përvojë shumë e mirë për mua. Luaj dhe tregoj se për çfarë jam i aftë”, ka theksuar futbollisti.
I pyetur mbi domethënien e veçantë që ka për të veshja e fanellës kuqezi, i riu u pushtua nga emocionet, duke veçuar lidhjen shpirtërore me tifozët dhe mbështetjen e tyre të palëkundur.
“Diçka të jashtëzakonshme. Madje, nuk kam fjalë për ta përshkruar. Kur i sheh tifozët, energjinë dhe dashurinë që ta përcjellin, është diçka krejt tjetër”, është shprehur Gallapeni.
Sakaq, sulmuesi bëri të ditur se synimi primar tashmë mbetet arritja historike e kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028, pasi synimi për Botërorin e ardhshëm mbetet një ëndërr e parealizuar për momentin.
“Ky është synimi ynë. Jemi të përqendruar që të kualifikohemi në Evropian. Nuk arritëm të shkonim në Kupën e Botës, por, pavarësisht zhgënjimit, ishim të kënaqur me luftën që bëmë. Tani synimi ynë është Evropiani”, ka përfunduar ai.
Me një total prej 17 paraqitjesh zyrtare nën fanellën e Kosovës dhe aktualisht pjesë e skuadrës polake Wisła Płock, Gallapeni dhe pjesa tjetër e Përfaqësueses po përgatiten për dy përballjet e radhës në Ligën e Kombeve gjatë këtij muaji, ku do të ndeshen me Izraelin dhe Irlandën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: