Sport
Emocionet e fanellës dhe ëndrra evropiane: Flet sulmuesi i Kosovës, Dion Gallapeni
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesi i Kosovës, Dion Gallapeni, ka ndarë mendimet e tij rreth rrugëtimit me “Dardanët”, ndjenjën e veçantë të debutimit, si dhe mërzinë pas humbjes ndaj Turqisë në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Gjatë një interviste të dhënë për faqen zyrtare të skuadrës së tij, Wisła Płock, talenti kosovar ka evokuar kujtimet e para në fanellën kuqezi, duke e konsideruar privilegj të jashtëzakonshëm mundësinë për të djersitur fanellën e vendit të tij.
Gallapeni ka kujtuar çastet e debutimit në përballjen kthyese ndaj Islandës, në kuadër të fazës së plejofit për kalimin nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, kur ishte aktivizuar për rreth dhjetë minuta në fraksionin e dytë të lojës.
“Ishte një nder i madh për mua. Isha shumë, shumë i ri, luaja te Prishtina, në kampionatin e Kosovës. Ishte e vështirë, sepse në Përfaqësuese kishte futbollistë që luanin në liga të forta evropiane. Por, ishte vërtet diçka e madhe”, u shpreh Gallapeni.
Lojtari është ndalur gjithashtu te disfata ndaj Turqisë në finalen e plejofit për Botërorin 2026, duke pranuar se një rezultat i tillë solli keqardhje, pavarësisht ecurisë pozitive që regjistroi ekipi kombëtar.
“Të luash në finalen e plejofit ishte diçka e jashtëzakonshme për ne dhe për gjithë vendin. Nuk arritëm të kualifikoheshim, betejë e re, jemi një shtet i ri dhe po rritemi me çdo ndeshje. Kishte zhgënjim, sepse ishte një mundësi e shkëlqyer për futbollistët dhe për të ardhmen e Përfaqësueses. Megjithatë, ne nuk ndalemi. Duhet të shikojmë përpara”, deklaroi ai.
Duke folur për rolin dhe pozicionin e tij brenda grupit, 21-vjeçari ka vlerësuar lart harmoninë me pjesën tjetër të skuadrës dhe dobinë e përvojës që po fiton në skenën ndërkombëtare.
“Tani luaj në shumë ndeshje, kështu që është mirë. Kam kimi të mirë me bashkëlojtarët. Ata janë futbollistë të shkëlqyer dhe luajnë çdo ditë përkrah futbollistëve të tjerë të nivelit të lartë. Natyrisht, kjo është një përvojë shumë e mirë për mua. Luaj dhe tregoj se për çfarë jam i aftë”, theksoi ai.
I pyetur se çfarë domethënie ka për të veshja e fanellës së Kosovës, sulmuesi nuk i ka fshehur emocionet, duke veçuar lidhjen e fortë emocionale me tifozët dhe mbështetjen e tyre të palëkundur.
“Diçka të jashtëzakonshme. Madje, nuk kam fjalë për ta përshkruar. Kur i sheh tifozët, energjinë dhe dashurinë që ta përcjellin, është diçka krejt tjetër”, tha Gallapeni.
Duke lënë pas zhgënjimin e Botërorit 2026, talenti ka bërë të ditur se synimi i radhës i Përfaqësueses është arritja e kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028.
“Ky është synimi ynë. Jemi të përqendruar që të kualifikohemi në Evropian. Nuk arritëm të shkonim në Kupën e Botës, por, pavarësisht zhgënjimit, ishim të kënaqur me luftën që bëmë. Tani synimi ynë është Evropiani”, përfundoi ai.
Përfaqësuesi kosovar, i cili tashmë numëron 17 paraqitje zyrtare me fanellën e Kosovës, luan në futbollin polak te Wisła Płock, ndërsa gjatë këtij muaji atë dhe “Dardanët” i presin dy sfida të rëndësishme në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: