Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Alarm te Crystal Palace: Pierre Sage drejt shkarkimit, zbulohen kandidatët për pankinën londineze

Redaksia Lajmetereja • 10-11-2026 06:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Alarm te Crystal Palace: Pierre Sage drejt shkarkimit, zbulohen kandidatët për pankinën londineze
Edhe pse disa drejtues teknikë në Premier League – përfshirë Michael Carrick, Álvaro Arbeloa dhe Oliver Glasner – janë përballur me presion të madh gjatë javëve të fundit, deri më tani asnjë prej klubeve përkatëse nuk ka marrë vendimin për të bërë lëvizje në stol. Megjithatë, i pari që mund t'i japë lamtumirën detyrës është trajneri i Crystal Palace, Pierre Sage. Pozita e francezit është lëkundur fort vetëm pesë muaj pas marrjes së drejtimit, teksa skuadra nga Londra ka përfunduar në vendin e fundit të renditjes me vetëm 7 pikë, pas disfatës së pësuar përballë Liverpool-it në "Selhurst Park". Ecuria e Crystal Palace deri më tani është mjaft negative, me vetëm 2 fitore të arritura në 10 javë kampionat. Klubi vjen pas katër humbjeve radhazi kundër Brighton-it, Newcastle-it, Tottenham-it dhe Liverpool-it, një seri ku ka pësuar 12 gola dhe ka shënuar vetëm një. Për më tepër, me 24 gola të pësuar në tërësi, ekipi londinez mban mbrojtjen më të dobët në elitën e futbollit anglez. Krizës në kampionat i shtohet edhe ecuria në Europa League, ku pozicionohen në vendin e 21-të me 5 pikë, pasi kanë arritur të triumfojnë vetëm ndaj Lech Poznan-it në katër përballje. Bordi drejtues i klubit ka nisur bisedimet e brendshme me synimin për të përcaktuar të ardhmen e Sage dhe për të gjetur zëvendësuesin e tij. Sipas raportimeve të BBC-së, Thomas Frank, ish-tekniku i Tottenham-it dhe Brentford-it, vlerësohet si një kandidat mjaft i fortë, ndërkohë që mbështetje brenda drejtuesve gëzon edhe Sean Dyche. Të dy këta trajnerë janë aktualisht pa skuadër. Pierre Sage mori drejtimin e Crystal Palace duke pasuar Oliver Glasner-in, i cili tashmë ndodhet në stol te Nottingham Forest. Francezi iu bashkua ekipit anglez pas një sezoni historik me Lens në edicionin 2025/26, ku arriti vendin e dytë në Ligue 1 si dhe triumfoi në Kupën e Francës për herë të parë në historinë e atij klubi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar