Sport
Gara për kreun e FIFA-s: Arsene Wenger pritet të vendosë këto ditë për sfidën ndaj Gianni Infantinos
Reklamë e Sponsorizuar
Arsene Wenger gjatë kësaj jave pritet të shpallë vendimin përfundimtar mbi mundësinë e hyrjes në garë për postin e presidentit të FIFA-s, ku synon të sfidojë kreun aktual, Gianni Infantino.
Ish-strategu legjendar i Arsenalit po gëzon mbështetjen e fuqishme të disa prej emrave dhe organizmave më eminente të futbollit, përfshirë edhe UEFA-n, të cilët po e nxisin që të zyrtarizojë kandidaturën e tij para afatit të fundit të 18 nëntorit.
Wenger, 77-vjeçar, i cili mban detyrën e shefit për zhvillimin global të futbollit në FIFA që nga nëntori i vitit 2019, gëzon një autoritet të lartë në këtë sport, çka e bën atë një sfidues tejet serioz për Infantinon.
Ky vendim vjen në një udhëkryq për të ardhmen e tij brenda shtëpisë së futbollit botëror, duke qenë se kontrata e tij aktuale merr fund në mbyllje të këtij viti. Pavarësisht kësaj, krerët e organizatës shprehin dëshirën që ai të vijojë angazhimin dhe i kanë ofruar vazhdimin e bashkëpunimit.
Nëse francezi vendos ta sfidojë Infantinon, mbetja në detyrën aktuale përgjatë vitit 2027 do të shndërrohej në një sfidë organizative, pasi atij do t'i duhej të zhvillonte një fushatë me një platformë dhe vizion krejtësisht të ndryshëm për të ardhmen e futbollit.
Pozita e Infantinos në krye të institucionit është tronditur muajt e fundit, ndërkohë që janë ngritur zëra për dorëheqjen e tij. Kjo situatë morur dhenë pas nismës së njohur si “FIFA Forward Enterprise” (FFE), përmes së cilës organizata synonte t’u shiste investitorëve privatë një pjesë të të drejtave komerciale dhe organizative, duke përfshirë Kupën e Botës, projekt i cili pas reagimeve u tërhoq.
Wenger reagoi më 4 gusht përmes një deklarate publike, duke mohuar çdo lidhje me hartimin e këtij plani dhe duke theksuar se nuk kishte pasur dijeni për të deri në momentin e publikimit në media.
“Vendimi për ta tërhequr projektin ishte absolutisht i domosdoshëm dhe nuk vihej në diskutim, sepse unë besoj fuqishëm në një FIFA të pavarur, që i shërben futbollit me përkushtim, transparencë dhe integritet”, kishte deklaruar Wenger.
Ish-trajneri i Arsenalit gjithashtu kishte munguar në një takim të Komitetit Drejtues të FIFA-s, të mbajtur më 5 gusht në Rabat të Marokut, ku udhëheqësit e organizatës kishin shprehur mbështetjen e tyre për Infantinon.
Megjithatë, në fund të tetorit, Wenger ishte fotografuar përkrah presidentit të FIFA-s në Baku të Azerbajxhanit, gjatë Kupës së parë të Botës dhe festivalit për futbollistët nën 15 vjeç.
Pavarësisht se Wenger do të kishte mbështetje masive në kontinentin e vjetër dhe mund të siguronte përkrahje nga konfederata të tjera, mposhtja e Infantinos mbetet një mision mjaft i vështirë.
Nga ana tjetër, UEFA nuk dëshiron të kufizohet vetëm te emri i francezit. Sipas burimeve mediatike, institucioni evropian po zhvillon bisedime edhe me personalitete të tjera dhe pritet të nxjerrë një kandidat para afatit të 18 nëntorit. Çdo kandidaturë që merr bekimin e UEFA-s duhet fillimisht të kalojë filtrat e Komitetit Ekzekutiv dhe më pas të miratohet nga federatat kombëtare evropiane.
Gara për kreun e FIFA-s ka marrë tashmë dritën jeshile. Javën e shkuar, kreu i Federatës Japoneze të Futbollit, Kozo Tashima, shprehu ambicien për ta sfiduar Infantinon, ndërsa më herët, në tetor, kandidaturën e kishte bërë publike edhe ish-mbrojtësi i Tottenham Hotspurit, Ramon Vega.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: