Kronikë
Shtime: Zjarrfikësit bëhen me mjete elektro-hidraulike të teknologjisë së fundit për raste emergjente
Reklamë e Sponsorizuar
Njësia Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (NjPZSh) në Shtime ka ngritur ndjeshëm kapacitetet e saj operacionale, pasi është pajisur me një komplet të ri të mjeteve elektro-hidraulike me bateri. Këto pajisje janë projektuar posaçërisht për të lehtësuar ndërhyrjet gjatë aksidenteve rrugore dhe situatave të tjera kritike ku kërkohet shpëtim i shpejtë.
Investimi në fjalë është realizuar falë mbështetjes së Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), e cila funksionon nënn administrimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Komandanti i NjPZSh-së në Shtime, Bajram Gashi, ka vlerësuar lart këtë donacion, duke e cilësuar si një mbështetje jetike për misionin e përditshëm të efektivëve. Ai ka theksuar se pajisjet e gjeneratës së re do të garantojnë operacione më të shpejta dhe një shkallë më të lartë sigurie për vetë zjarrfikësit gjatë terrenit.
“Kompleti i ri përfshin mjete hidraulike të kombinuara për prerje dhe shpërndarje të metaleve, shufër cilindrike për hapjen dhe shtyrjen e strukturave të dëmtuara, si dhe pajisje për menaxhimin e xhamave dhe mbrojtjen e timonit. Falë teknologjisë moderne me bateri, këto pajisje mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më efikas në terren, duke lehtësuar punën e zjarrfikësve dhe duke rritur mundësitë për shpëtimin e jetëve të qytetarëve”, ka deklaruar Gashi.
Kjo pajisje vjen vetëm pak ditë pas një tjetër investimi të rëndësishëm për këtë njësi, e cila koh më parë u fuqizua edhe me një automjet të ri zjarrfikësish, duke vazhduar kështu rrugëtimin drejt modernizimit të plotë të flotës dhe gatishmërisë përballë çdo emergjence.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: