Aktuale
Gara ilegale në mes të ditës në autostradën “Ibrahim Rugova” përfundon në tragjikomedi: Dy vetura përplasen para syve të spektatorëve
Reklamë e Sponsorizuar
Edhe pse bëhej fjalë për mesditën e një prej akseve rrugore më të qarkulluara në vend, kjo nuk i pengoi dy shoferë që të dielën të përfshihen në një garë ilegale shpejtësie në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ngjarja, e cila tërhoqi vëmendjen e një numri të madh shikuesish të mbledhur nga afër për të ndjekur këtë sfidë të rrezikshme, u zhvillua në afërsi të fshatit Trudë.
Në pikun e garës, automjetet u përplasën mes vete, duke lënë pas skena të dukshme të aksidentit. Megjithatë, fatmirësisht, të dy drejtuesit arritën t'i shpëtonin incidentit vetëm me lëndime të lehta. Shenjat dhe dëmtimet e kësaj përplasjeje kanë mbetur të pranishme në asfalt edhe një ditë pas ngjarjes.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet zyrtare. “Si rezultat i veprimeve profesionale hetimore, janë identifikuar të dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident, përfshirë edhe drejtuesin që ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Të dy drejtuesit janë paraqitur në stacionin policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa njëri prej tyre është kontrolluar edhe nga ekipi mjekësor, me ç’rast janë konstatuar lëndime të lehta. Për nevoja të hetimit të mëtejshëm, Policia ka konfiskuar të dy automjetet e përfshira në aksident”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se pasojat e garave të tilla nuk rrezikojnë vetëm vetë shoferët, por përbëjnë një kërcënim serioz edhe për sigurinë publike. Sipas Dedajt, është shqetësues fakti se si qytetarët lejojnë veten të parkohen buzë rrugës në autostradë për të parë aktivitete që mund të rezultojnë me pasoja fatale. Ai sugjeron se institucionet kompetente duhet të ndërhyjnë duke krijuar hapësira të posaçme dedikuar garave automobilistike.
Për mungesën e një piste adekuate flet edhe Valon Mehmeti nga grupi “Marakli t’Kerreve”, i cili e sheh këtë si një ndër shkaqet kryesore të dukurisë. “Një prej shkaqeve është edhe mungesa e pistës, sepse mungon një pistë adekuate, e cila do të kishte zëvendësuar, vendin ku mbahen garat. E patjetër, këtu në Kosovë mbahen edhe gara ilegale... dhe janë katër herë në vit, mirëpo mungesa e një piste ku mund të shfrytëzohen për qëllimet e garimit edhe jashtë kalendarit, është një prej shkaqeve kryesore që këto gara mbahen në autostradë dhe kemi këtë pasojë, ndonjëherë edhe fatale”, u shpreh Mehmeti.
Vlen të theksohet se ky nuk është rasti i parë i rëndë në këtë segment. Në vitin 2023, në të njëjtën autostradë, një tjetër garë ilegale përfundoi në tragjedi kur një nga shoferët humbi kontrollin dhe goditi turmën që po ndiqte spektaklin, ngjarje kjo që i mori jetën tre të rinjve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: