Aktuale
ASH: Çështja e provimit të jurisprudencës dëshmon dështimin e VLEN-it dhe mungesën e vullnetit politik
Reklamë e Sponsorizuar
Aleanca për Shqiptarët ka shprehur pakënaqësi të thellë lidhur me qasjen institucionale ndaj kërkesës legjitime të studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas kësaj partie, pas një periudhe të gjatë premtimesh nga koalicioni VLEN për një zgjidhje të plotë dhe në përputhje me interesat e studentëve, kryeministri Mickoski ka konfirmuar se segmenti praktik i provimit, i cili përfshin simulimin e procedurave penale dhe civile, do të mbetet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase, duke lejuar shqipen vetëm në pjesën teorike.
"Ku është VLEN në këtë rast që premtoi para studentëve zgjidhje të plotë, që provimi i jurisprudencës do të mbahet në shqip, si në teori ashtu edhe në praktikë. Sot, kur duhej të zbatonte këtë premtim, VLEN hesht dhe ofron një zgjidhje të pjesshme dhe kërkon durim nga studentët duke lënë pas një premtim të rëndësishëm publik", theksohet në reagimin e ASH-së.
Gjithashtu, forca opozitare vë në dukje se përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë mbetet e konsiderueshme, duke rikujtuar se fillimisht institucioni refuzoi kërkesën e studentëve dhe më pas trajtoi ide të ndryshme e të paqarta, çka dëshmon mungesë të vullnetit politik dhe të qëndrueshmërisë për një çështje që ndikon drejtpërdrejt te të drejtat qytetare.
Në deklaratë nënvizohet se aspekti gjuhësor i procedurës nuk përbën pengesë teknike, por një tregues të vullnetit politik. Duke pasur parasysh se sistemi gjyqësor operon në gjuhën shqipe në bashkitë ku ajo flitet, nuk ekziston asnjë arsye e vlefshme që pjesa praktike e provimit të kufizohet vetëm në maqedonisht, ndaj Aleanca për Shqiptarët insiston që ky provim të organizohet plotësisht në shqip, si në teori ashtu edhe në praktikë.
Në fund, ASH kërkon ndryshimin e menjëhershëm të kornizës ligjore përkatëse dhe harmonizimin e saj me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, vendosjen e afateve konkrete dhe kërkimin e përgjegjësisë personale nga ministri i Drejtësisë dhe përfaqësuesit e VLEN-it. Kërkesa e tyre përfshin gjithashtu zgjidhje të njëjta për provimet e noterisë dhe të përmbarimit, duke theksuar se studentët shqiptarë kërkojnë vetëm zbatimin e të drejtave të tyre kushtetuese dhe ligjore për barazi dhe ushtrim të profesionit në gjuhën amtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: