Sport
Prishtina shkëputet në majë të tabelës, Drenica frenon kampionen në fuqi
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqytetasit e Prishtinës kanë shënuar një fitore të rëndësishme me rezultatin 2:1 ndaj Vushtrrisë, në kuadër të xhiros së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke konsoliduar kështu udhëheqjen në renditjen tabelore. Ndeshja e cila u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas solli golin e parë në minutën e 28-të, kur Rin Ahmeti zhbllokoi shifrat duke kaluar bardhekaltrit në epërsi.
Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën e Prishtinës, e cila arriti të dyfishojë avantazhin qysh në minutën e 49-të. Autori i golit të dytë për kryeqytetasit ishte Assabe Diatta, duke çuar rezultatin në 2:0.
Edhe pse në disavantazh të dyfishtë, Vushtrria nuk u dorëzua dhe reagoi në minutën e 79-të përmes Urim Statovcit, i cili ngushtoi shifrat në 2:1. Megjithatë, deri në vërshyllën përfundimtare të gjyqtarit rezultati mbeti i pandryshuar, duke i siguruar Prishtinës tri pikë të reja dhe mjaft të vlefshme.
Për Prishtinën kjo shënon triumfin e dhjetë përgjatë këtij edicioni garues. Me dy barazime dhe vetëm një humbje, skuadra e kryeqytetit mban kreun me 32 pikë gjithsej, pesë sosh më shumë se Malisheva që pozicionohet e dyta. Ndërkaq, Drita mban vendin e tretë me 24 pikë, pasi në sfidën tjetër të zhvilluar të dielën nuk ka arritur më shumë se një barazim 1:1 si mysafire ndaj Drenicës, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Golat në këtë përballje u shënuan që në pjesën e parë, ku skuadra kampione kaloi e para në epërsi në minutën e 16-të falë Albert Dabiqajt. Vendasit e Drenicës reaguan shpejt dhe në minutën e 25-të barazuan rezultatin në 1:1 me anë të Genc Hamitit, shifra këto që mbetën në fuqi deri në fund.
Vlen të theksohet se ky barazim i ka sjellë Drenicës pikën e parë nën udhëheqjen e trajnerit Gentjan Mezani, i cili mori drejtimin e skuadrës më 26 tetor.
Pas disfatës së rëndë 4:0 nga Ballkani në xhiron e shkuar, skuadra kuqezi nga Skenderaj ka dëshmuar reagim duke ndalur në këtë mënyrë ekipin kampion të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: