Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Në zemër të Romës, Begaj dhe Mattarella bashkohen me krerët arbëreshë: Urë e fortë miqësie mes dy kombeve

Redaksia Lajmetereja • 09-11-2026 15:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Në zemër të Romës, Begaj dhe Mattarella bashkohen me krerët arbëreshë: Urë e fortë miqësie mes dy kombeve
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar nga homologu i tij italian, Sergio Mattarella, zhvilluan sot një takim në Pallatin Quirinale me krerët e të gjitha bashkive arbëreshe të Italisë. Ngjarja u përshkrua si një homazh për përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, të cilët prej më shumë se pesë shekujsh ruajnë me fanatizëm një trashëgimi të pazëvendësueshme të historisë dhe identitetit tonë të përbashkët evropian. Gjatë fjalës së tij hapëse, kreu i shtetit shqiptar e vuri theksin te lidhjet e ngushta historike dhe vëllazërore ndërmjet Tiranës dhe Romës, duke e quajtur diasporën arbëreshe mishërimin e gjallë të kësaj miqësie të veçantë. “Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, – u shpreh Presidenti Begaj. Duke i rezervuar një falënderim të posaçëm mikpritësit të tij, Presidenti Begaj e cilësoi kreun e shtetit italian, Sergio Mattarella, si një mik të madh e të çmuar të Shqipërisë, i cili ka dhënë një kontribut të spikatur në rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian. “Takimi ynë i sotëm është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare; është dëshmi e gjallë e miqësisë së veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, një miqësi që i ka rrënjët e thella historike, por që mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese në kohë moderne”,– tha ndër të tjera Presidenti i Republikës. Në fjalën e tij, ai e quajti Italinë një aleate të palëkundur, partnere strategjike dhe ndër mbështetëset më të flakta të aspiratave eurointegruese të Shqipërisë. Një hapësirë e merituar iu kushtua gjithashtu kontributit të arbëreshëve dhe diasporës së re shqiptare në Itali për forcimin e urave njerëzore mes dy vendeve. Kreu i shtetit vlerësoi lart aftësinë e tyre për t'u integruar me sukses në shoqërinë italiane, pa humbur asnjë moment lidhjen me rrënjët dhe identitetin kombëtar. “Arbëreshët dhe shqiptarët që jetojnë në Itali, si edhe italianët që jetojnë në Shqipëri, janë pjesë e kësaj afërsie të rrallë njerëzore që ekziston mes dy popujve tanë”, – theksoi Presidenti Begaj. “Sot, krahas komunitetit historik arbëresh, qëndron edhe komuniteti i ri i shqiptarëve, që prej dekadash, jetojnë, studiojnë, punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre në Itali. Ata janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike, shoqërore, akademike dhe kulturore italiane. Dy komunitete të ndara nga shekuj historie, por të bashkuara nga aftësia për t’u integruar, për të kontribuar dhe për të ruajtur lidhjen me origjinën dhe rrënjët e tyre.” Duke marrë shkas nga ky model frymëzues, Presidenti Begaj solli në vëmendje se bashkëjetesa mes integrimit dhe ruajtjes së identitetit është plotësisht e mundur në Evropë. “Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, u shpreh ai. Veç marrëdhënieve njerëzore, ai evokoi edhe bashkëpunimin e ngushtë dypalësh brenda aleancës së NATO-s, si dhe ambisjon e përbashkët për të qenë bashkë edhe në familjen evropiane, ku Italia mbetet mbështetësja kryesore. Në mbyllje të këtij takimi domethënës, Presidenti i Republikës u drejtoi një thirrje kryetarëve të komunave arbëreshe që të vazhdojnë misionin e tyre fisnik për t'ua përcjellë gjuhën, traditat, zakonet dhe kulturën brezave të rinj, duke përmbyllur me porosinë: “Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar