Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Reforma Zgjedhore në ngërç: Opozita braktis mbledhjen pas dështimit për rendin e ditës

Redaksia Lajmetereja • 09-11-2026 13:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Reforma Zgjedhore në ngërç: Opozita braktis mbledhjen pas dështimit për rendin e ditës
Përpjekjet për të gjetur një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin për Reformën Zgjedhore kanë shënuar një tjetër dështim, pasi palët nuk kanë arritur të bien dakord për ndryshimin e rendit të ditës, pavarësisht pjesëmarrjes së Partisë Demokratike në seancë. Në emër të opozitës, bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi ka këmbëngulur që fokusi i diskutimeve të jetë te zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se vijimi i punës është i pamundur pa një rend dite të dakordësuar paraprakisht, duke vendosur theksin te prioritetet e ODIHR-it. Pozicioni i paraqitur nga PD parashikon një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura (100%), një kërkesë kjo që shtrihet gjithashtu edhe për listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë. “Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027”, u shpreh Bylykbashi gjatë mbledhjes. Pas dështimit për të arritur një marrëveshje, deputetët e Partisë Demokratike janë larguar nga salla e komisionit, ndërsa pak minuta më vonë të njëjtin hap e kanë ndjekur edhe anëtarët e Partisë Socialiste.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar