Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Operacioni “Gjuetari i Bankave”: Policia e Tiranës zbardh grabitjet me armë të dy filialeve dhe godet një rast trafiku droge në Rinas

Redaksia Lajmetereja • 09-11-2026 10:43
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, Oliger Torba, ka dalë në një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet e dy operacioneve të suksesshme, të cilat sollën zbardhjen e grabitjeve me armë të dy filialeve bankare në kryeqytet, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit. Sipas kreut të policisë së Tiranës, falë hetimeve të thelluara të ndjekura me metoda speciale nga strukturat e posaçme nën drejtimin e Prokurorisë, është përmbyllur me sukses operacioni i koduar “Gjuetari i Bankave”. Torba bëri të ditur se ky operacion ka çuar në identifikimin dhe vënien në pranga të 50-vjeçarit me iniciale R. D. (alias A. D.), i cili dyshohet si autori i vetëm i dy grabitjeve të ndodhura nën kërcënimin e armës së zjarrit përkatësisht më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy institucione të ndryshme financiare në Tiranë. Zbulimi i autorit u bë i mundur falë angazhimit maksimal hetimor, shfrytëzimit të teknologjisë së avancuar për identifikimin e personave pavarësisht përdorimit të maskave, si dhe analizës së detajuar të elementeve të veshjes gjatë kryerjes së krimeve. Gjatë kontrolleve të ushtruara, autoritetet sekuestruan 8 200 euro, pajisje celulare dhe veshje të përdorura gjatë ngjarjeve. Në të njëjtën linjë komunikimi, drejtori Torba njoftoi edhe për finalizimin e operacionit “Fly”, ku specialistët e antidrogës në bashkëpunim me shërbimet e Rinasit dhe autoritetet doganore, mbështetur në informacione operative, kontrolluan bagazhet e linjës ajrore Athinë–Rinas. Në vijim të kontrolleve, brenda një valixheje u zbuluan dy pako me lëndë të dyshuar bimore narkotike të llojit kanabis sativa. Veprimet e shpejta hetimore mundësuan identifikimin e pronarit të dyshuar të valixhes, shtetasit grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga ambientet e aeroportit menjëherë pas uljes së avionit. Struktura policore organizuan ndjekjen dhe bënë të mundur kapjen e tij në rrugën e Durrësit, duke e arrestuar në flagrancë për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa lënda e dyshuar u sekuestrua si provë materiale. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Torba theksoi se gjatë ditës së djeshme, nga ana e strukturave hetimore u bë i mundur kapja dhe ndalimi i tre shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, konkretisht shtetasve O. K., 29 vjeç, G. S., 28 vjeç dhe S. H., 20 vjeç.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar