Aktuale
Bllokim në Reformën Zgjedhore: Opozita i jep ultimatum socialistëve deri në orën 11:00 për rendin e ditës
Reklamë e Sponsorizuar
Teksa mbeten vetëm pak orë para nisjes së mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, kampi opozitar ka kaluar në ofensivë duke kërkuar ndryshimin rrënjësor të agjendës së diskutimeve. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Oerd Bylykbashi, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare mazhorancës, duke i lënë kohë reflektimi deri në orën 11:00 të paradites.
Në qendër të kërkesës së demokratëve qëndron kundërshtimi i fortë për përfshirjen në rendin e ditës të çështjes që lidhet me reflektimin e hartës së re territoriale brenda Kodit Zgjedhor. Opozita argumenton se kjo pikë është futur në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë lloj konsensusi paraprak mes palëve.
Në shkresën e zbardhur zyrtarisht, bashkëkryetari Bylykbashi vë theksin te rregullat themelore mbi të cilat funksionon komisioni, të bazuara te barazia mes pozitës dhe opozitës, bashkëkryesimi dhe e drejta e vetos:
“I nderuar bashkëkryetar, të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm, Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-opozitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë.
Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme, në lidhje me detyrime që, sipas njoftimit, i vijnë Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve, është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës.
Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.
Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për t’u bërë ajo është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.
Për sa më sipër, kërkoj që deri në orën 11:00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht Komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: