Sport
Flick reagon me forcë pas fitores në 'Metropolitano': "Kemi dëshmuar se mund t'u bëjmë ballë më të mirëve"
Reklamë e Sponsorizuar
Timonieri i Barcelonës, Hansi Flick, ka marrë në mbrojtje paraqitjet e ekipit të tij në sfidat me peshë të madhe, duke iu përgjigjur skeptikëve pas kritikave që pasuan disfatat e mëparshme përballë Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit.
Deklaratat e teknikut gjerman erdhën menjëherë pas triumfit me përmbysje 2-1 ndaj Atletico Madridit në stadiumin “Metropolitano” këtë të dielë, një duel ku katalanasit përmbysën disavantazhin falë dy golave të realizuar nga Fermin Lopez.
Edhe pse pranoi dështimet në dy përballjet e kaluara të nivelit të lartë, Flick nëvizoi se rezultatet përfundimtare nuk pasqyruan me saktësi atë që skuadra e tij tregoi në fushën e blertë.
“Po, i humbëm ato dy ndeshje ndaj Real Madridit dhe PSG-së, por mendoj se nuk luajtëm keq në asnjërën prej tyre. Edhe ndaj Real Madridit, rezultati mund të kishte qenë ndryshe për ne”, u shpreh ai.
Strategu gjerman hodhi poshtë çdo pretendim se klubi nga Katalonja nuk arrin të shfaqë nivelin e vet në sfidat kryesore, duke këmbëngulur se grupi zotëron cilësinë e nevojshme për të rivalizuar me elitën e futbollit evropian.
“Ne kemi treguar se mund të konkurrojmë, natyrisht. E dimë cilësinë tonë dhe e dimë se kemi një skuadër shumë të mirë. Unë besoj te skuadra ime. Jam 100 për qind i bindur për këta lojtarë dhe për mënyrën se si duam të luajmë futboll”, nërmvizoi kreu i stolit blaugrana.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai mori si shembull paraqitjen e zhvilluar gjatë pjesës së dytë kundër Atletico Madridit, duke e cilësuar atë si modelin e duhur të asaj që Barcelona mund të arrijë kur zbaton me precizion idetë e tij taktike.
“Kur luajmë si në pjesën e dytë, gjithçka funksionon dhe ne do të vazhdojmë në rrugën tonë”, përfundoi Flick.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: