Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Cakolli për moskonstituimin e Kuvendit: Problemi është politik, prandaj s’mund të ketë zgjidhje teknike

Redaksia Lajmetereja • 27-05-2025 21:37
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Cakolli për moskonstituimin e Kuvendit: Problemi është politik, prandaj s’mund të ketë zgjidhje teknike
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se bllokimi i Kuvendit pas dështimit për ta zgjedhur kryetaren për 22 herë me radhë është thelbësisht problem politik dhe jo teknik, ndaj kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për kalim në votim të fshehtë nuk ofron zgjidhje reale. Për më tepër, Cakolli ka thënë se ndryshimi i mënyrës së votimit është shkelje e rëndë procedurale që dëmton tërë procesin vendimmarrës për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Sipas tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari po përdor manovra procedurale për të bllokuar procesin, në një përpjekje për ta ndalur procesin zgjedhor për kryetaren e Kuvendit, “pas dështimeve të njëpasnjëshme të kandidates Albulena Haxhiu për të marrë votat e nevojshme”. “Duke pasur parasysh këtë situatë, ku Kuvendi është shndërruar në një strukturë që nuk funksionon, ne si organizatë e shoqërisë civile organizuam sot aksionin e parë protestues”, ka deklaruar Cakolli në Interaktiv, duke komentuar aksionin para nisjes së seancës së sotme ku u vendos 120 karrige e alarme si kritikë për bllokadën në Kuvend. Ai theksoi se pasojat e bllokimit të Kuvendit tashmë nuk janë vetëm politike apo të imazhit, por për herë të parë ka edhe ndikim të drejtpërdrejtë financiar, sidomos në raport me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, i cili ka mbetur i ngrirë. “Është e kotë të kërkojmë fajtor vetëm në një drejtim. Të gjitha partitë politike po përfitojnë nga kjo situatë. Por, barrën më të madhe e ka LVV-ja si fituese e zgjedhjeve, e cila duket se nuk ka interes të ngutet për formimin e institucioneve”, ka thënë ai. Cakolli shtoi se problemi nuk mund të zgjidhet me ndryshime teknike siç është votimi i fshehtë, pasi kjo vetëm sa do të dëmtonte integritetin e procesit dhe do ta thellonte krizën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar