Aktuale
Pas deklaratave për Paradën e Krenarisë dhe lidhjeve të dyshimta, shkarkohet imami i njohur në Zvicër
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkim Aliu, një nga figura fetare me ndikim në Zvicër, ka humbur të gjitha pozitat e tij drejtuese brenda institucioneve myslimane në Cyrih. Ky vendim drastic vjen pas hulumtimeve të mediave helvetike, të cilat sollën në vëmendje qëndrimet e tij homofobe dhe kontaktet e mundshme me rrethe islamiste.
Në qendër të këtij skandali janë postimet e kaluara të Aliut, ku ndër të tjera, në vitin 2017 kishte fyer Paradën e Krenarisë të mbajtur në Prishtinë, duke e etiketuar atë publikisht si "paradë të turpit".
Deri vonë, Aliu ushtronte funksionin e kryetarit të Komisionit të Imamëve pranë Federatës së Organizatave Ombrellë Islame të Zvicrës (FIDS), ndërkohë që shërbente edhe si autoriteti më i lartë teologjik i Bashkimit të Organizatave Islame në Cyrih (VIOZ), ku bashkëpunonte ngushtë me autoritetet lokale.
Pas publikimit të fakteve, VIOZ ka njoftuar largimin e tij vullnetar nga të gjitha strukturat, ndërsa FIDS ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm duke e shkarkuar nga detyra. Të dyja organizatat kanë theksuar se qëndrimet përjashtuese dhe diskriminuese bien ndesh me statutet e tyre, të bazuara te barazia dhe legjislacioni zviceran.
Një tjetër element që ka ngritur shqetësime është udhëtimi i imamit në Katar gjatë janarit të vitit 2024. Ai mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë në Doha, organizatë e lidhur me Vëllazërinë Myslimane, ku ishte i pranishëm edhe ish-lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh.
Ndërsa FIDS ka bërë të ditur se ishte në dijeni të kësaj vizite vetëm pas pyetjeve të gazetarëve, VIOZ ka sqaruar se Aliu nuk ka udhëtuar me autorizim apo mandat të tyre, duke paralajmëruar një shqyrtim të thellë të rastit.
Ngjarja ka marrë përmasa politike për shkak të financimeve publike që përfitojnë këto organizata. Vetëm gjatë periudhës 2017-2025, Kantoni i Cyrihut i ka akorduar VIOZ-it rreth 2,5 milionë franga për nismën Quams, e cila synonte kujdesin shpirtëror në institucione.
Financimet kanë vazhduar edhe përmes kontributeve nga Kisha Reformiste dhe ajo Katolike, ndërsa Bashkia e Cyrihut i ndan rregullisht 50 mijë franga në vit. Autoritetet kompetente kanë deklaruar se po i trajtojnë akuzat me shqetësimin dhe seriozitetin maksimal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: