Sport
Drenica ndal hapin e kampionit, Drita thyhet në udhëtim dhe rrëmben vetëm një pikë
Reklamë e Sponsorizuar
Kampioni aktual i Kosovës, Drita, nuk ka arritur të sigurojë më shumë se një barazim 1-1 në transfertë përballë Drenicës, në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit vendor, duke regjistruar kështu një tjetër hapa fals në kampionat.
Formacioni nga Gjilani e nisi sfidën me ritëm të lartë dhe arriti të zhbllokojë shifrat që në minutën e 16-të. Ishte Albert Dabiqaj ai i cili dërgoj topin në rrjetë për epërsinë e mysafirëve, pasi përfitoj nga një asistim i saktë i Pëllumbit.
Megjithatë, festa e gjilanasve zgjati vetëm për nëntë minuta. Drenica reagoi shpejt dhe vendosi ekuilibrin në fushë në minutën e 25-të, kur Genc Hamiti finalizoi me sukses një aksion të rrjedhshëm të vendasve.
Pavarësisht se Drita pati kontrollin e lojës dhe zotëroi më shumë topin, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, duke bërë që të dyja skuadrat të ndajnë nga një pikë.
Pas golit të barazimit, skuadra mysafire u hodh në sulm për të rikthyer epërsinë, duke krijuar disa raste të volitshme shënimi, të cilat megjithatë mbetën të pashfrytëzuara.
Nga ana e tyre, edhe kuqezinjtë e Drenicës patën mundësitë e tyre për të përmbysur rezultatin dhe për të kaluar në avantazh, por tentativat e tyre munguan në finalizim.
Pas këtij barazimi, Drita pozicionohet në vendin e tretë të renditjes tabelare me 24 pikë të mbledhura, ndërsa Drenica mbetet në vendin e tetë me 12 pikë në konton e saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: