Politikë
Reforma në administratë, Teliti: Kur PD të marrë drejtimin e vendit, do të largojmë punonjësit fiktivë të instaluar nga qeveria
Reklamë e Sponsorizuar
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka bërë të qartë se qasja e forcës së tij politike në pushtet do të fokusohet te pastrimi i administratës publike nga punonjësit e shtuar në mënyrë fiktive, duke paralajmëruar shkurtime të vendeve të punës që, sipas tij, nuk kanë asnjë funksion real.
Gjatë një diskutimi në emisionin “Terminal” me ekspertin Gerti Shella, Teliti u pyet mbi planet e opozitës për të ardhmen e administratës shtetërore, duke dhënë garanci se ata që punojnë me ndershmëri nuk do të preken nga ndryshimet politike, ndërsa theksi do të vihet te ata që paguhen pa kryer asnjë detyrë.
Duke bërë një krahasim mes statistikave të vitit 2013 dhe situatës aktuale, zyrtari i Partisë Demokratike solli në vëmendje rritjen e numrit të të punësuarve në sektorin publik, pavarësisht tkurrjes së popullsisë dhe avancimit të digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.
“Më the çfarë do të bëj me administratën publike, si do t’i heqim 180 mijë nga puna. Do hiqen ata të cilët rrinë kot. Ata që janë shtuar kot. Sa ka qenë administrata në vitin 2013-të? Ka qenë 162 mijë, dhe ke pasur 2,9 milionë banorë sipas INSTAT-it. Sot ke 500 mijë më pak, ke digjitalizim shumë më tepër sepse bota është digjitalizuar, dhe ke shkuar 186 mijë me kohë të plotë. Plus në çdo fushatë zgjedhore shkon mbi 200 mijë. Këto abuzime duhen shkurtuar, sepse ato para duhet të shkojnë për pensione, shkolla. Kush e bën punën e vet, s’ka rëndësi politika. Por ka me mijëra që marrin rrogën kot, kanë vetëm kartën e bankomatit, ata patjetër do fluturojnë. Ne do kthejmë Shqipërinë në normalitet”, u shpreh Teliti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: