Aktuale
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030: Hiqet dorë nga stadiumi nacional, rinovimi i “Fadil Vokrrit” në tryezë
Reklamë e Sponsorizuar
Pavarësisht diskutimeve të vazhdueshme për ngritjen e një stadiumi nacional që do të priste ceremonitë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, skenari aktual orientohet drejt rinovimit dhe zgjerimit të stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Në një prononcim për KosovaPress, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka bërë të ditur se ky opsion po shqyrtohet seriozisht, ndonëse ka ngritur dilema nëse investimi për një objekt të ri mund të rezultojë më ekonomik sesa ndërhyrja në atë ekzistues. Njëkohësisht, ai ka theksuar sfidat lidhur me infrastrukturën rrethuese, duke paralajmëruar se hapësira aktuale mund të mos i përgjigjet fluksit të madh të spektatorëve.
Krasniqi: Nuk e di nëse “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret, por ne jemi edhe për këtë opsion
“Ka qenë një prej mendimeve që stadiumi “Fadil Vokrri” të rinovohet, të ketë ulëse shtesë që është një projekt që mund të bëhet, por unë mendoj që ndoshta më lirë na kushton ta bëjmë një stadium të ri sesa ta rinovojmë të vjetrin, sepse e dimë që është një stadium goxha i vjetër dhe betoni nuk e di sa i përmbush kriteret që të rinovohet. Për t’u rrëzuar gjysma e të bëhet prej fillimit, ndoshta kushton, por brenga ime kryesore te stadiumi “Fadil Vokrri”, edhe pse i duhet Prishtinës ndoshta në qendër, nuk është keq ta kemi stadium të tillë, por duke pasur parasysh që për një herë vijnë krejt ata njerëz, 25.000 shikues, sepse duhet pasur 25.000 ulëse, të gjithë ata vijnë me autobusë, infrastruktura rreth stadiumit është shumë e vogël dhe e papërshtatshme për qasje... Duhet hapësirë shumë e madhe rreth stadiumit, sepse stadiumi mund të bëhet, mirëpo nëse nuk e kemi infrastrukturën rreth stadiumit, ka me qenë pak problem, por nuk është punë që nuk zgjidhet. Të shohim, në mbledhjen e ardhshme ne jemi për, edhe të rindërtojmë stadiumin “Fadil Vokrri”, të jetë me 20.000 deri në 25.000 ulëse, por edhe nëse bëhet një stadium i ri diku rreth Prishtinës, do të jetë i mirëseardhur”, u shpreh Krasniqi.
Nga ana tjetër, njohësi i futbollit, Bylbyl Sokoli, e ka cilësuar si një qasje mjaft pozitive idenë e modernizimit dhe zgjerimit të kësaj ure lidhëse sportive në Prishtinë. Sipas tij, ky impiant, krahas stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, mund të shërbejë për organizimin e momenteve solemne të hapjes dhe mbylljes së këtij kompeticioni ndërkombëtar.
Megjithatë, Sokoli ka përsëritur se nevoja për një stadium nacional mbetet jetike për zhvillimin e futbollit vendor dhe përfaqësimin e méritueshëm të vendit në arenën ndërkombëtare.
Sokoli: Zgjerimi i “Fadil Vokrrit”, ide e mirë
“Unë mendoj se nuk është ide e keqe që stadiumi “Fadil Vokrrit” të zgjerohet dhe të përshtatet apo të ndërtohet në një kompleks pak më modern dhe kjo është ide shumë e mirë. Por kur janë pyetje Lojërat Mediterane, unë mendoj që edhe në stadiumin “Fadil Vokrri”, edhe në stadiumin “Adem Jashari” mund të hapen dhe të mbyllin Lojërat Mesdhetare... Jo, nuk është hequr dorë prej stadiumit nacional, sepse ai është i nevojshëm për futbollin dhe Kosovën në përgjithësi. Është imazhi ynë në arenën ndërkombëtare, prandaj unë besoj që rreth stadiumit nacional së shpejti duhet të vendoset cili është opsioni më i mirë. Sipas mendimit tim, opsioni më i mirë është stadiumi “Fadil Vokrri” të ketë një projekt të ri, të zgjerohet për numër të caktuar, por para së gjithash të sigurohen hapësira adekuate për akomodim të sportistëve”, shtoi ai.
Ndërkaq, kreu i Federatës së Sporteve Universitare, Musa Selimi, ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për këto iniciativa zhvillimore në infrastrukturën sportive të vendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: