Botë
Përplasja e re mes BE-së dhe TikTok: Algoritmi rrezikon shëndetin mendor të përdoruesve
Reklamë e Sponsorizuar
Një front i ri tensionesh është hapur mes Bashkimit Evropian dhe platformës së njohur TikTok, e cila tashmë rrezikon një gjobë të rëndë për shkak të ndikimit të saj në shëndetin e përdoruesve, sidomos përmes fenomenit të njohur si "Rabbit Hole" apo humbja në spiralen e informacionit.
Sipas gjetjeve paraprake nga hulumtimi i Komisionit Evropian, aplikacioni përbën kërcënim për publikun për shkak të mënyrës se si rekomandon videot. Autoritetet në Bruksel paralajmërojnë se koncerni mund të ndëshkohet, pasi sistemi i tij i rekomandimeve i ekspozon personat e cenueshëm ndaj një rrjedhe të pafundme videosh të personalizuara që mund të rëndojnë gjendjen e tyre psikike, duke nxitur rrezikun e varësisë, ankthit dhe çrregullimeve të të ngrënit.
Komisioni Evropian e vë theksin te dështimi i platformës për ta frenuar këtë rrezik në mënyrë adekuate. Sipas vlerësimit zyrtar, mekanizmat mbrojtëse të deritanishme kanë dështuar, ndërsa butoni "Nuk jam i interesuar” nuk arrin ta ndryshojë rrjedhën e rekomandimeve në ekranin kryesor (feed).
Në qendër të procedurës hetimore ndodhet faqja "For You", funksioni i së cilës është t'u servirë përdoruesve sa më parë përmbajtje që përkojnë me shijet e tyre. Brukseli kërkon ndryshime rrënjësore në këtë funksion, nga frika e pasojave që sjell e ashtuquajtura "vrima e lepurit" – një gjendje ku dikush zhytet aq thellë në një temë sa e ka të pamundur të shkëputet, ngjashëm me personazhin e njohur te "Alice në Botën e Çudirave".
Kritikët argumentojnë se algoritmi i TikTok-ut i jep shtysë konsumit të pandërprerë të materialeve të njëjta, duke i futur përdoruesit në një cikël të mbyllur tematik. Këto teknologji kanë kapacitetin të shfrytëzojnë modelet e sjelljes për t'i mbajtur njerëzit të mbërthyer pas ekranit për periudha sa më të gjata kohore.
Brukseli ngre alarmin se personalizimi i përmbajtjeve potencialisht të dëmshme emocionale përbën një rrezik të madh për fëmijët dhe të rinjtë. Përsëritja e pafund e videove që trajtojnë tema si trishtimi, vetmia apo perceptimi i trupit mund të përkeqësojë problemet ekzistuese psikologjike dhe të dëmtojë rëndë mirëqenien mendore të individëve.
Për këtë arsye, Komisioni kërkon që algoritmi të mos mbështetet më te koha që përdoruesit harxhojnë duke parë një video të caktuar. Në vend të kësaj, kërkohet që përdoruesve t'u jepet kontroll i plotë mbi atë që shfaqet në faqen "For You", duke u dhënë mundësinë të përcaktojnë vetë se çfarë dëshirojnë të shikojnë në TikTok, në mënyrë që të mos udhëhiqen verbërisht nga rekomandimet e automatizuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: