Kronikë
Presidenca e shqetësuar që s’është caktuar asnjë prokuror për t’u marrë me kërcënimet ndaj Osmanit
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenca e Kosovës ka shprehur shqetësim për mungesën e veprimit të Prokurorisë Speciale lidhur me hetimin e kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidentes, ka thënë se rreth një javë pasi kërcënimi më i fundit u raportua në adresën zyrtare elektronike të Presidencës dhe u hap rasti nga Policia e Kosovës, ende nuk është caktuar asnjë prokuror që të merret me çështjen.
“Deri tash ka pasur dhjetëra kërcënime të përsëritura, por nuk ka pasur asnjë arrestim nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej kërcënimeve janë bërë pa u fshehur identitetet e autorëve”, ka thënë Kupina.
Ai e quajti situatën “shqetësuese”, duke theksuar se mungesa e një reagimi të shpejtë dhe efikas nga ana e institucioneve të drejtësisë rrezikon jo vetëm sigurinë personale të presidentes, por edhe rendin kushtetues të vendit.
“Këto janë kërcënime ndaj kreut të shtetit dhe, rrjedhimisht, edhe ndaj rendit kushtetues. Duhet pasur parasysh se aktualisht, Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota kushtetuese në funksion”, shtoi Kupina.
Zyra e Presidentes i ka bërë thirrje sërish autoriteteve përkatëse që të trajtojnë me seriozitet maksimal çdo kërcënim ndaj institucionit të Presidentit dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore pa vonesa.
Osmani ishte kërcënuar ditë më parë përmes një emaili anonim. Policia pati iniciuar rast penal, por s’ka pasur zhvillime të tjera.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: