Kronikë
Unë po çuditem, e ti?
Reklamë e Sponsorizuar
Pesë vjet, ata që e votuan, nuk e ndryshuan ligjin për Gjykatën e Posaçme.
Diku gjashtë vjet të tjera, gjatë paraburgimit, nuk ndërmorën asgjë.
Pasi u shpallën dënimet, e kuptuan mirë se ata qenkan vërtet në burg.
Prandaj, tani, vetëm tani, e sollën projektligjin për t’ia zvogëluar kompetencat Gjykatës së Posaçme të Kosovës në Hagë.
Nisma u dorëzua më 21 shtator, pesë ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë.
Por Bedri Hamza nuk bën vetëm një kërkesë; ai shpreh edhe një shantazh njëkohësisht:
„Ju e votoni ligjin që e duam ne, pa marrë parasysh çfarë mendojnë aleatët, ne e votojmë kryetarin. Nëse jo, kryetari i Kosovës nuk i duhet. Dhe shkojmë në zgjedhje dhe ne ju tregojmë juve emrin e lirisë.“
Ajo kryesi gjeniale e PDK-së, duke e lënë Kosovën me qeveri e kryetar në detyrë, do t’ia zvogëlojë asaj kompetencat për t’i ndihmuar më mirë të akuzuarit në Hagë.
Pra, ajo kërcënon: ose i reduktojmë të drejtat Gjykatës, ose NE ia reduktojmë shtetit të Kosovës.
Shikoje propozimin e tyre nga lart.
Hidhja edhe pak detergjent juridik.
Prapëseprapë, njeriu me mendje të shëndoshë nuk ia del ta masë thellësinë asaj injorance astronomike.
Hamza e PDK-ja nuk e ditkan se fizika ende nuk ka zbuluar ligje që mundësojnë kthimin në të kaluarën dhe zhbërjen e vendimeve të marra dikur.
Prandaj, ajo që ka marrë fund — dënimet e shkallës së parë — nuk zhbëhen kurrë me ligje të reja.
Aktgjykimi i shkallës së parë mund të ndryshohet vetëm përmes procedurave gjyqësore, pra vetëm në Gjykatën e Apelit.
Ndoshta, po e përsëris, ndoshta keni lënë mundësi ndonjë ligjore për ta zhbërë Apelin. Ndoshta mundeni.
Dhe pastaj, 11 vite më vonë, e kuptoni se keni gabuar dhe sillni propozime tjera.
Keni firmosur edhe Dhomat e Specializuara dhe Dhomën Kushtetuese në Hagë, dhe Gjykata e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë ndaj vendimeve të tyre.
I keni anuluar edhe të drejtën Presidentit të Kosovës për falje.
Pra, kjo e tregon qartë se ju nuk dini, por mësoni vetëm nga pasojat. mNë fakt, dini shumë mirë vetëm të firmosni...
Sidoqoftë, nëse PDK-ja ka zbuluar ligjet e kthimit të kohës prapa, Bedri Hamza e ka të sigurt Çmimin Nobel në Fizikë.
2. Shpesh në jetë kam parë këto çudi:
Politikani i dyshuar si kriminel, gjatë fushatës elektorale, premtonte „zero tolerancë“ ndaj krimit.
Kriminaliteti rritej me të në pushtet.
I korruptuari betohej për zhdukjen e korrupsionit.
Korrupsioni lulëzonte tutje.
Udbashi, në fillim të debatit, e shante tjetrin me udbash.
Nënvetëdija i urdhëron ata të veshin maskën menjëherë, para se të sulmohen për fytyrën që e kanë.
Sepse ata e njohin mirë fytyrën e vet. Dhe, e dinë mirë se ai súrrat, nuk pranohet në shoqëri.
Prandaj, ata sulmojnë e akuzojnë të tjerët, pikërisht ashtu si janë ata vetë.
Kështu besojnë se largojnë dyshimet, apo se e trullosin publikun.
Madje, disa edhe u besojnë akuzave të tyre.
Kështu duhet parë edhe deklarata e Vlora Hysenit.
Ajo, pak minuta para se të merrej në pyetje për dyshime për një vepër penale, e prodhoi një kundërvajtje penale mu para derës së SPAK-ut.
Ai mendim i shprehur ashtu, tregon shumë për karakterin e saj dhe profesionalitetin.
Aty kuptohet menjëherë pse Edi Rama e ka zgjedhur atë dhe pse Kurti dhe Osmani e kanë përjashtuar.
Dhe tash, merreni me mend edhe këtë:
Ta zëmë se një ditë Greqia sulmon Shqipërinë dhe ka pretendime territoriale.
Ta zëmë se ajo mbështetet nga Rusia dhe Kina.
Sapo të dërgojë aradhët e para terroriste të stërvitura në Greqi, shfaqet Kurti dhe thotë:
Jo sanksione kundër saj; le ta dojë Rusinë e Kinën, por më mirë ta kemi ne në tryezë sesa jashtë saj.
E dini se krejt kryeministrat e Europës dhe krejt kryetarët e saj së bashku, nuk e kanë mbrojtur Vuçiqin sa Edi Rama vetë.
Ky Serbinë nuk e ka në kufi, por e ndien obligimin për t’u bërë avokat i saj.
Sa herë Vuçiqi ndihet në krizë dhe i sulmuar, ai mundohet t’i bëjë të padëmshme veprimet e tij.
Se është i tillë Edi Rama, nuk është më aspak çudi, por se Partia Socialiste e duron një njeri si ai, është çmenduri, por edhe rrezik për Shqipërinë dhe Ballkanin.
Në një vend normal, me njerëz me dinjitet, ministrat dhe deputetët do ta kishin braktisur një palaço si ai.
Sepse njeriu me integritet e sedër , nuk do të rrinte kurrë pranë tij.
Edi Rama as nuk mund të durohet më, as nuk mund të shikohet, e as nuk mund të tolerohet më si kryeministër. Ka kaluar çdo kufi të një njeriu me dinjitet, integritet dhe respekt. Si foli në OKB, e pastaj në Nju Jork, u krijua përshtypja për një njeri që po përpiqej me çdo kusht t’i përshtatet klimës politike të momentit.
Ai e akuzoi Joe Bidenin se e paska “tradhtuar” Hashim Thaçin. Por është e pamohueshme se Rama shkoi me helikopter në Prishtinë, në një kohë kur në Kosovë po diskutohej themelimi i Gjykatës Speciale.
Atëherë fitohej në imazh me kontribut për miratim. Sot e shpreson me kundërshtim!
Pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026, Rama kërkon fajtorë vetëm jashtë. Çfarë ndryshoi, bindja apo mënyra e përfitimit?
Në OKB, Rama foli për inteligjencën artificiale, dezinformimin dhe teknologjinë, pa përmendur Kosovën, UÇK-në apo Gjykatën Speciale. Aty foli sikur të ishte bosi i bosëve: i kryetarit amerikan dhe atij kinez! Me rëndësi qenka për planetin çfarë mendon ai për IA-në.
Populli nuk e do, SPAK-u e do shumë dhe po e pret, por ai mundohet të shfaqet si modeli i liderit, e gati çdo muaj prodhon një skandal! Rama ka humbur çdo legjitimitet, çdo moral politik dhe çdo standard të dinjitetit që duhet të karakterizojë një njeri që udhëheq një shtet.
Ai nuk po përpiqet më të qeverisë me parime, por vetëm të mbijetojë politikisht me nënshtrime jashtë dhe me arrogancë brenda.
Ai e ndien SPAK-un pas shpine!
Dhe, kur një kryeministër arrin në këtë pikë, problemi nuk është më vetëm politik. Ai është edhe moral. Jo vetëm i tij, por i shqiptarëve në përgjithësi.
4. „Vlora Hyseni është e pafajshme derisa të provohet faji i saj.“
Ky është një parim juridik, jo një argument logjik për të mohuar ekzistencën e dyshimit. Ajo ka faj dhe është e dyshuar! Prokuroria nuk merret me njerëz ndaj të cilëve nuk ekziston asnjë dyshim. Asnjë faj.
Por, fajësinë ose pafajësinë juridike e përcakton gjykata mbi bazën e provave.
Mirëpo, vetë fakti që një person hetohet, ndryshon perceptimin publik për imazhin e tij.
Pra, prezumimi i pafajësisë është juridik; ekzistenca e dyshimit është fakt procedural, logjik.
Mirëpo, krejt ajo ka një kosto të madhe sociale për të dyshuarën. Sepse pos fajësisë juridike, ka edhe faj social. Si e beson publiku!
I pafajshëm jam unë. I pafajshëm je edhe ti që po e lexon këtë status. Prandaj, Prokuroria nuk merret me ne, sepse nuk jemi të dyshuar. Me atë që merret prokuroria, faji tashmë ekziston.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: