Politikë
Uniteti politik për Hagën, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” vlerëson qëndrimin e Kuvendit
Reklamë e Sponsorizuar
Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” ka mirëpritur dakordimin e 99 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët përmes një deklarate unifikuese kanë reaguar ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara për krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Në deklaratën e saj, kjo qendër ka vlerësuar lart vendosmërinë e legjislativit të shprehur më 28 shtator 2026, duke nënvizuar se asnjë vendim gjyqësor nuk ka fuqinë ta tjetërsojë të vërtetën historike mbi luftën në Kosovë. Sipas tyre, deputetët kanë reflektuar vullnetin popullor duke e cilësuar aktgjykimin e 16 shtatorit si të padrejtë, ndërsa kanë refuzuar kategorikisht konstatimin mbi ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale gjatë përpjekjeve për pavarësi.
Organizata thekson se bashkimi i forcave politike është hapi i vetëm për të përmbushur kërkesat drejtuar institucioneve të Republikës. Ata kërkojnë angazhim maksimal shtetëror për mbrojtjen e luftës çlirimtare, përmes ndërtimit të një strategjie gjithëpërfshirëse që do të harmonizonte veprimet juridike, diplomatike dhe institucionale në shërbim të së vërtetës historike.
Në përmbyllje të reagimit, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” shpreh bindjen se një qasje profesionale dhe e koordinuar ndaj këtyre kërkesave do të krijojë rrethanat e nevojshme për një epilog të drejtë: shuarjen e Dhomave të Specializuara dhe lirimin e menjëhershëm të krerëve të luftës që po mbahen në paraburgimin e Scheveningenit në Hagë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: