Sport
Hasani: Mbi 2 milionë euro i kemi dhënë si familje për sportin
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka treguar në SportCast për sakrificat e mëdha që familja e tij ka bërë ndër vite për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Hasani ka thënë se familja e tij ka dhënë mbi 2 milionë euro për sportin, duke kujtuar veçanërisht periudhën e viteve të okupimit, kur Kosova nuk ishte e anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe sporti vendor funksiononte në kushte të vështira.
“Kur t’I kesh parasysh vitet e okupimit, domethënë, vitet kur nuk kemi qenë të anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, është vetëm punë, angazhim, sakrificë edhe jetë, sakrificë materiale, do të thotë familja ime për sportin i ka dhënë mbi 2 milionë euro. Dhe sot kur dëgjoj që nuk angazhohen njerëzit është prekëse. Minimumi që mund ta them”, ka thënë Hasani në SportCast.
Ai ka treguar se angazhimi i familjes së tij në sport daton që nga viti 1993, duke përmendur edhe mbështetjen për klubin e karatesë dhe Klubin Futbollistik Flamurtari.
“Si familje, se nuk ka pasur mbështetje, po flas prej vitit '93 kur kemi filluar me karate, të cilin e kemi mbajtur mbi 10 vite Klubin Futbollistik Flamurtari, sepse babai im ka qenë edhe kryetar i klubit Flamurtari, por babai im ka qenë edhe kryetar i Federatës së Futbollit për pesë vite. Atëherë është quajtur Lidhja Futbollistike e Krahinës Autonome të Kosovës. Por ka qenë njeriu i parë i futbollit. Është një traditë në familjen tonë tash”, ka deklaruar Hasani.
Besim Hasani ka qenë president i Komitetit Olimpik të Kosovës për shumë vite, duke qenë një nga figurat e angazhuara në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. Ai ka drejtuar KOK-un gjatë një periudhe të rëndësishme për sportin e Kosovës, përfshirë anëtarësimin e vendit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: